MENU
klinika

"Janë përfshirë grupe ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse!"

Shpërthimi në Zubin Potok, Kurti: Duan destabilizimin e Kosovës

07.12.2024 - 20:20

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pas sulmit në Zubin Potok mund të fshihen grupe ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse me lidhje të forta në Serbi.

Në një postim në rrjetet sociale, ai ka publikuar foto të emblemave ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë, të konfiskuara nga autoritetet e Kosovës pas bastisjeve në veri.

Kurti thotë se janë konfiskuar po ashtu armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme.

“Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me sulmin kinetik terrorist të datës 29 nëntor 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë.

Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.

Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon.