Vokalisti i grupit të famshëm rok-alternativë “Prodigy” është ndarë nga jeta në moshën 49-vjeçare, Keith Flint.
Ai u gjet i vdekur mëngjesin e të hënës në shtëpinë e tij në Dunmow, Essex. Përveç ambulancës, në shtëpinë e tij ishte e pranishme edhe Policia, por vdekje nuk po trajtohet si një rast i dyshimtë, pavarësisht se shkaqet nuk janë bërë të ditura ende.
Flint, vokalist i grupit, u bë një figurë ikonë e skenës muzikore britanike me performancat e tij energjike, flokët me ngjyra të ndryshme dhe tatuazhet e shumtë.
I lindur në Londrën lindore, ai u transferua në Brantree Essex që fëmijë dhe u njoh me bashkëthemeluesin e Prodigy, Liam Howlett në një klub nate. Fillimisht ai ishte vetëm kërcimtar në grup, por pasi këndoi Firestarter karriera e tij mori drejtim tjetër.
Prodigy ishte një grup i famshëm në fillim të viteve 1990 ku edhe u bë një prej më të mëdhenjve në Mbretërinë e Bashkuar. Këngët e tyre “Firestarter” dhe “Breathe” zunë vendin e parë në renditjen e hiteve në vitin 1996 në Britani.