MENU
klinika

Pasqyrimi i plotë

Përfundon protesta e opozitës/ Çfarë paralajmëron Basha për 16 mars?

05.03.2019 - 08:26

Ora 13:20-Basha mbyll protestën: Sot kemi çuar në shtëpi Parlamentin e krimit

Duke mbyllur protestën në orën 13:20 të ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se dita e sotme, protesta katërt që nga 16 shkurti ka meritën se ndezi shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen.

Ai tha se zgjidhja e vetme për situatën është largimi i Ramës.

“Sot në të katërtën protestë radhazi, populli i bashkuar ka përfunduar etapën e fundit të asgjësimit të asamblesë së krimit dhe nxjerrjen e kësaj asambleje lakuriq para botës si kazani i plehrave, horave, hajdutëve e kriminelëve. Dita e sotme shkon përtej. Ka meritën e ndezjes së shpresës, besimit të çdo shqiptari për të nesërmen që po vjen. Ja ku jemi, shumë prej jush, prej orësh dhe ju nuk ju shkohet në shtëpi.

Zgjidhja e vetme politike është largimi një orë e më parë i shkaktarit kryesor, autorit e përituesit, kryezullumqarit Edi Rama. Ikja e tij është fundi i pjesës së parë të kësaj beteje e cila do të vazhdojë me bashkimin më të madh të shpresës e besimit që shqiptarët kanë njohur në këto 3 dekada. Edhe miqtë e tij më të ngushtë, dhe ata që janë përpjekur ta mbrojnë me gjysmë zëri të vërtetën që ju keni buçitur sot. Edi Rama ka mbaruar, regjimi i tij ka marrë fund”, deklaroi Basha.

“Sot e kemi çuar njëherë e mirë në shtëpi parlamentin e krimit, parlamentin ilegjitim dhe kemi hapur përfundimisht shtegun e vetëm mes të cilës do të kalojë e ardhmja e cdo shqiptari. Zgjidhja e vetme politike është largimi i shkaktarit kryesor, autorit dhe përfituesit, krye zullumqarit Edi Rama. Ikja e tij është fundi i pjesës së parë të kësaj beteje, e cila do të vazhdojë me shpresën dhe bashkimin në shqiptarët që kanë njohur në tre dekada.

Edhe ata që janë përpjekur ta mbrojnë e dinë të vërtetën që ju keni buçitur, Edi Rama ka mbaruar, regjimi i tij ka marrë fund.

Sado të përpiqet ta zgjasë agoninë, aq më shumë do ti shtohet makthi dhe fatura para popullit që do ta paguajë para drejtësisë, ndaj dua tu bëj një thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në një tjetër akt vendimtar të hapjes së portave të Evropës të zgjedhjeve të parakohshme të lira e të ndershme pa Ramën dhe horrat e kriminelët e tij, Në një akt që do të na bashkojë trefish më shumë se me 16 shkurt. Më 16 mars në protestën vendimtare për ta përcjellë kufomën politike të sektit kriminal të Rilindjes për të çliruar vendit dhe për të shpëtuar të ardhmen tonë, zgjedhjet, ekonominë edhe PS”, tha Basha.

Ora 12:54-Kryemadhi: Do jemi këtu sa herë të mblidhen shushunjat, s’na tremb as plumbi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se secili nga politikanët e opozitës që ndodhet sot në protestë përfaqëson familjet shqiptare dhe shqiptarët që iu dhimbsen fëmijët, shtëpia dhe vendi.

Ajo deklaroi se do jenë para parlamentit sa herë të mblidhen shushunjat.

““Ata përfaqësojnë, mostrat e krimit të organizuar, shërbëtorët e trafikut të drogës, deri te argatët e tradhtarëve, të antishqiptarëve që ndodhen aty në Parlament. Ata sot më shumë se kurrë kanë frikë. Ata mendojnë se ne do lodhemi, por nuk kanë bërë një llogari. Sot këtu asnjeri nga ne, nuk përfaqëson parti politike. Sot secili nga ne përfaqëson një familje shqiptare, dy prindër, atë shqiptar që i dhimbset fëmija, shtëpia dhe vendi i tij. Sot ne jemi këtu dhe do të jemi gjithmonë sa herë shushunjat të mblidhen në seanca ne do të jemi këtu. Nuk do të lodhemi asnjëherë”, deklaroi Kryemadhi.

Sipas saj, kryeministri Edi Rama ka dështuar dhe e akuzoi se ka helmuar qytetarët.
“Sot dua t’iu them diçka. Rama ka dështuar. Dështoi me politikat e tij. Rama dështoi me vendet e reja të punës, kur i degdisi shqiptarët si emigrantë rrugëve të Europës. Dështoi me taksat e larta. Rama dështoi me Policinë. Dhe turp më të madh nuk ka kur policia pranon vetë që ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar qytetarët e saj. Kurrë nuk ka bërë vaki ajo që ka ndodhur në protesta e opozitës. Të helmosh motrat dhe vëllezërit e tu ka dy arsye: një ose je kriminel dhe vrasës, tjetra ose je i çmendur dhe ke hakmarrje për të tjerët. Ky njeri i ka të dyja. Ky njeri ka një problem shumë të madh, nuk e do vendin e tij dhe i urren qytetarët e tij. Ne nuk e urrejmë Edi Ramën. Në na dhimbset Edi Rama. Na dhimbset ai dhe familjarët e tij, të cilët i kanë ngelur në dorë”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi një apel rezervoi edhe për punonjësit e policisë.

“ Një thirrje për policët: E dimë shumë mirë që mezi ushqeni fëmijet tuaj, mezi paguani dritat e ujin e s’bëhet fjalë më për shpenzime të tjera. Mos e mbani më uniformën veshur se do t’ju njollosë e do bëjë duart me gjak me njerëzit e qytetarët. Veprimi që bëtë që goditët ndaj gazetarëve e kameranve, që janë njerëz që paraqesin të verteten është i gabuar.

Mos kujtoni se qytetarët tremben nga gazi lotsjellës. As plumbat s’kanë për ti’ ndaluar qytetarët, sic nuk i ndaluar në 97, sepse e drejta është me ne me qytetarët me të rinjtë e të rejat që duan të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.- tha Kryemadhi ndërsa e mbylli me shprehjen: “Zoti ju ruajtë ju, Zoti ruajtë shqiptarët”.

Ora 12:50-Përfundon seanca plenare/ Për çfarë i udhëzoi Balla deputetët?

Seanca plenare, e cila ka nisur që në orën 10:00 ka përfunduar.

Gjatë kësaj seanca që u zhvillua paralelisht me protestën e opozitës, u betuan edhe ka deputetët e rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në përfundim të seancës, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka udhëzuar deputetët të dalin nga dera anësore.

Deputetët do të dalin nga kjo derë për të shmnagur përplasjet e mundshme me protestuesit.

Ndërkohë protestuesit, sapo kryedemokrati Basha ka përfunduar fjalën janë nisur drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ora 12:30-Basha mes tensionit dhe thirrjeve të forta: Sovrani e ka marrë vendimin!

Vijon protesta e opozitës së bashkuar përpara Parlamentit.

Situata është tensionuar, ku mes thirrjeve “Rama ik”, protestuesit po hedhin shashka e tymuese, si edhe i kanë vënë flakën gomave.

Mes tensionit dhe thirrjeve të forta ka marrë fjalën dhe kryeopozitari, Lulzim Basha.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se sovrani e ka marrë vendimin.

Fjala e plotë:

“Moduro i Ballkanit nuk e hap dorën derën e Evropës, por ne do ta hapim derën e drejtësisë dhe burgut për të dhe hajdutët.

Vetëm ndarja dhe balancimi i pushteteve, rënia në gjunjë ne qeverisë së ardhshme para dinjitetit të cdo shqiptari për ta mbrojtur, vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ta hapin derën e Evropës, vetëm ne të bashkuar e të vendosur si kurrë më parë.

Një qeveri që nuk ju dhunon, vjedh, dhe kur gabojnë shkojnë para drejtësisë, ku paratë shkojnë për të rritur rrogat e pensionet, paga dinjitoze e kushte të mira për rininë dhe çdo shqiptar, imagjinoni një qeveri që nuk e ka Evropën në majë të gojës, por që nuk i përzë shqiptarët me çmimet e përballueshme me dhunë, terror e arrogancë, por ju shërben , ju ofron shpresë, rrugë për të nesërmen, ju shërben me përulësi.

Kjo sot nuk është imagjinatë se ky bashkim i madh është ura që do ta bëjë këtë ëndërr nesër realitet për çdo shqiptar.

Nuk ka më banditë e trafikantë, horr e hajdut që të na ndalë në këtë rrugë, më 16 mars populli sovran edhe më shumë edhe më fort, edhe më i vendosur se kurrë më parë në këto tre dekada udhëtim do të marrë në dorë fatin e tij.

Ne do ti tregojmë botës mbarë se hajduti nuk është zot në shtëpinë tonë, nuk është as zot në shtëpinë e tij.

Vëllezër e motra, kthimi i kësaj godine në karantinë të krimit të rrethuar me tela me gjemba, është shenja e këputjes totale të sistem kriminal të Ramës dhe është trofeja e parë e qytetarëve të bashkuar.

Edhe sot si çdo ditë ia ka mbathur të shpërndajë gënjeshtrat e tij në ekranin e Italisë fqinje, do sqarojë italianët për atë që nuk e besojnë më shqiptarët, ose të paktën kështu thotë se burime mike thonë që ka shkuar të negociojë azilin politik.

Fatin e ka e ka vulosur populli, regjimi i Ramës ka rënë dhe le të bashkohemi në rrugën tonë, të shpresës, besimin, e të nesërmes së lirë nga krimi dhe korrupsionit. Le te hedhim sot nje tjeter hap ne këtë rrugë, ju ftoj, prej fundit e prej fillimit në atë drejtim më ndiqni, për të vazhduar hapin tjetër për djegien e qindra mandateve për listat vijuese në KQZ”- tha Basha.

Ora 12:26-Flakë e tym, protestuesit i vënë zjarrin gomave tek parlamenti

Opozita e bashkuar ka nisur protesten përpara Parlamentit, duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Flakë e tym tek parlamenti. Protestuesit i vënë zjarrin gomave dhe karikaturave të bëra për kryeministrin Edi Rama dhe zona e protestës është mbuluar nga tymi.

Megjithëse nuk ka pasur konfrontime, protestuesit kanë hedhur shashka e tymuese në oborrin e parlamentit duke prishur disa herë radhët e policisë dhe me vuvuzela kanë kërkuar largimin e kryeministrit.

“Rama ik!” kanë qenë thirrjet e tyre.

Ora 11: 51-Shashka tek parlamenti/ Ambulanca merr një protestues

Megjithëse nuk ka pasur konfrontime, protestuesit kanë hedhur shashka dhe me vuvuzela kanë kërkuar largimin e kryeministrit.

“Rama ik!” kanë qenë thirrjet e tyre.

Ndërkohë një ambulancë ka marrë me barelë një prej protestuesve. Mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur dhe kush është protestuesi që është ndjerë keq.

Opozita e bashkuar proteston sot sërish kundër qeverisë. Protesta ka nisur në orën 10:00 në të njëjtën kohë kur Kuvendi zhvillon seancën plenare.

Kjo është e katërta protestë e opozitës që prej 16 shkurtit.

Ora 11:50-Protesta/ Sekuestrohet pranë Kuvendit një çantë me fishekzjarre

Vijon protesta e opozitës përballë Parlamentit, ku kandidatët e opozitës që refuzuan mandatin dhe ish-deputetë po mbajnë fjalën e tyre përballë protestuesve.

Gjatë protestës janë shënuar incidente të vogla si hedhje e shashkave, por nuk ka pasur konfrontime.

Mësohet se pranë Kuvendit është gjetur një çantë me mjete piroteknike.

Brenda saj ka fishekzjarre të llojeve të ndryshme.

Ora 11:43-Motra nuk dorëzoi mandatin/ Vëllai i Rudina Hajdarit në krah të Bashës: Amaneti i babait…

Nuk ka munguar sërish në protestën e sotme para Kuvendit, Kiri Hajdari, djali i madh i Azem Hajdarit.

Ai qëndron pranë foltores së improvizuar në protestën para Kuvendit, në krah të kreut të PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai ka marrë fjalën dhe është ngjitur në podium, duke thënë se “amaneti i Azem Hajdarit do shkojë deri në fund… liri demokraci”.

Pavarësisht se motra e tij, Rudina Hajdari refuzoi të dorëzojë mandatin e deputetes, ndryshe nga vendimi i marrë nga grupi parlamentar i partisë që përfaqëson, vëllai i saj ka zgjedhur të protestojë edhe sot për largimin e Ramës.

Ora 11:30- Refuzoi mandatin/ Kandidatja e PD-së humb ndjenjat në protestë

Teksa protesta e opozitës ka nisur me fjalimet e kandidatëve që kanë refuzuar mandatin e deputetit.

Ndërsa ishte duke mbajtur fjalën e saj, kandidatja e PD-së në listën e Sarandës ka humbur ndjenjat.

Mësohet se kandidatja është ndjerë keq dhe ka pësuar gjendje të fikëti.

Gjatë fjalës së saj ajo kishte zërin e ngjirur, dhe si pasojë nuk përcolli dot mesazhin e saj.

Fjalimet janë ndërprerë për disa minuta derisa ajo ka marrë veten.

Ora 11:00- Rama reagon pas largimit nga Kuvendi, zbulon qëllimin e vizitës në Itali

Menjëherë pasi është larguar nga Kuvendi, kryeministri Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter.

Rama pas përfundimit të fjalës së tij në foltoren e Parlamentit, është nisur drejt shtetit fqinjë Italisë.

Në postimin e tij në Twitter, Rama shkruan se protestat e opozitës duke nisur që nga 16 shkurti janë shfaqje të turpshme të dhunës partiake.

Sipas tij këto shfaqje kërcënojnë investitorët e huaj dhe planet e tyre.

Reagimi i Edi Ramës në Twitter:

“Në Itali 24 orë për të mbrojtur Shqipërinë, pas cënimit të rëndë ndërkombëtar nga shfaqja e turpshme të dhunës partiake të 16 shkurtit e në vazhdim,që kërcënon investitorët e planet e tyre dhe turizmin që punëson e ushqen dhjetëra mijëra njerëz. #ShqipëriaqëDuam

Ora 10:45- Rama fjalim në Kuvend, protestuesit hedhin shashka

Opozita ka nisur protestën përpara Parlamentit duke kërkuar largimin e Ramës, teksa ky i fundit mbante fjalën në Kuvend.

Teksa kreu i qeverisë mbante fjalën, jashtë Parlamentit protetuesit kanë nisur hedhjet e shashkave.

Protetuesit e mbledhur përballë Parlamentit brohorasin në kor “Rama ik”.

Gjithashtu ndërkohë që protesta ka nisur, kandidatët e opozitës që refuzuan mandatin po mbajnë fjalën e tyre në mes të protestuesve.

Ora 10:05- Shënohet incidenti i parë, protestuesi gjuan drejt policisë

Protestuesit vijojnë të mblidhen përpara Parlamentit duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

Teka protestuesit mblidhen, është shënuar kështu incidenti i parë në protestë.

Një nga protestuesit i mbuluar me flamurin kuq e zi ka gjuajtur me një copë druri drejt efektivëve të policisë.

Në momentin e incidentit kanë ndërhyrë disa protestues të tjerë për të shmangur përplasjen me policinë.

Ata e kanë neutralizuar në kohë protestuesin i cili pas disa çastesh tensioni, është tërhequr.

Ndërkohë me qindra protestues të tjerë janë mbledhur dhe brohorasin “Rama ik, duam zgjedhje të parakohshme”.

Ora 09:50- Qeveri tranzitore? Braçe i prerë me opozitën

Teksa po futej në ambjentet e Kuvendit të Shqipërisë, zv.kryeministri Erion Braçe në një prononcim për News 24 tha se nuk do të pranohet kërkesa për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Unë besoj se do jemi përfituesit kryesore edhe nga dialogu, sepse ne kemi qenë viktimat më të rëndësishme të shitblerjes së votës, të paktën në Fier dhe në Elbasan.

Zgjedhjet që po konteston opozita u bënë me një qeveri që ishte përgjysmë, tani kur e dogjën edhe këtë mundësi që ne u dhamë, tani për çfarë të flasim?!

Ne nuk heqim dorë nga demokracia dhe kushtetuta… të gjitha garancitë që opozita kërkon ti shkruaj vetë në një letër të bardhë jemi gati ti pranojmë në raport me ato që janë kushtetuese.

Zgjedhje? Patjetër, mbi bazat e atyre që kërkojnë… zgjedhjet vendore jo të parakohshme”, u shpreh Braçe.

Ora 9:49-Basha mbërrin në selinë e PD, përshëndetet me protestuesit

Në orën 09:20 kreu i PD-së, Lulzim Basha është parë të mbërrijë në selinë e PD-së dhe është pritur nga dhjetëra protestues të grumbulluar në oborrin e selisë.

Ndërkohë edhe kryeministri Rama është parë të arrijë në Kuvend me makinën e tij.

Po ashtu edhe deputetët e tjerë kanë mbërritur 1 orë para në në ambientet e Kuvendit.

Protesta do të nisë në orën 10:00

Ora 09:30-Kryeministri Rama mbërrin në Kuvend, shoqërohej nga eskorta

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvend i shoqëruar nga eskorta.

Para kreut të qeverisë, në Kuvend mbërriti zv.kryeministri Erion Braçe, i cili ka qenë me këmbë jo me makinë.

Kujtojmë që sot protesta e opozitës do të zhvillohet paralalelisht me seancën parlamentare.

Policia e Shtetit ka marrë masa të rrepta, ku forca të shumta policie janë vendosur në zonën rreth Parlamentit.

Protesta pritet të nisë rreth orës 10:00, ndërkohë deputetë të mazhorancës kanë filluar të mbërrijnë në Kuvend.

Edhe Ylli Shehu është parë duke mbërritur në Kuvend, ku në një prononcim për mediat tha se nuk ndihet aspak tradhtar dhe se sipas tij mandati i përkiste atij.

Ora 09:09-Tirana në shtetrrethim/ PD denoncon: Policia u kërkon qytetarëve…

Për vetëm një orë nis protesta e paralajmëruar e opozitës, e cila do të zhvillohet paralelisht me seancën plenare në Parlament.

Në kuadër të protestës janë marrë masa të shumta sigurie nga Policia e Shtetit.

Rreth 800 policë ndodhen para Parlamentit.

Pedonalja mes Galerisë së Arteve dhe Ministrisë së Brendshme mbëhet e rrethuar nga policia.

Në këtë zonë qytetarët nuk lejohen të lëvizin lirshëm.

Sipas një denoncimi të bërë nga Partia Demokratike, qytetarët s’lejohen të lëvizin lirshëm, pasi polici u këkon kartat e identitetit.

Godina e parlamentit është rrethuar me skela, ndërsa 200 efektivë do të angazhohen për mbrojtjen e deputetëve.

Bëhet me dije se policia këtë herë do të përdorë fillimisht ujë me presion, i cili ka në përmbajtje ngjyrues.

Kjo bëhet për shkak se policia do hedhë ujë vetëm në drejtim të personave që do jenë të dhunshëm për t’a pasur më pas më të lehtë identifikim e tyre.

Ora 08:32- Protestuesit nga rrethet nisen drejt Tiranës

Opozita e bashkuar ka thirrur sot në orën 10 protestën e radhës para Kuvendit të Shqipërisë.

Protesta do të mbahet në të njëjtën kohë me seancën plenare që pritet të zhvillohet nga mazhoranca qeverisëse ku veç rendit të ditës pritet të bëjnë betimin dhe katër deputetët nga lista shumëemërore e LSI-së që morën mandatin një ditë më parë nga KQZ.

Prej orëve të para të mëngjesit nga rrethet janë nisur në mënyrë të organizuar me dhjetëra qytetarë.

Transporti po bëhet me autobusë, furgonë dhe mjete private.

Kryetari i PD-së Shkodër, Xhevdet Amulli, në një prononcim para nisjes tha se kërkesat e opozitës së bashkuar janë të njohura tashmë; Largimi i kryeministrit Rama dhe qeveri tranzitore për zgjedhje të parakohshme

Sakaq nga Fieri, kreu i PD-së Luan Baçi u shpreh se: “Sot është ditë e veçantë pasi “refugjatët” (kandidatët që kanë pranuar mandatin) që vrapojnë për të hyrë në parlament , është një turp i tyre që shkojne aty. Qytetarët shqiptarë, votuesit nuk do të lejojnë që parlamenti të vijojë punën normalisht pasi nuk është një parlament normal. Protestat do të vazhdojne sa herë që do të ketë parlament. Absolutisht që do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse populli do të votojë për qeverinë që do në pushtet dhe jo qeverinë që vjedh vota”.

Ora 08:26-Protesta/ Nis zbatimi i planit të masave, blindohet Parlamenti

Pavarësisht se kërkesa e tyre u refuzua nga Policia e Shtetit, opozita e bashkuar do të protestojë sërish sot para Parlamentit.

Protesta sot do të nisë rreth orës 10:00, paralelisht me nisjen e seancës plenare.

Në Tiranë sot pritet të vijnë protestues nga i gjithë vendi.

Një grup protestuesish do të jenë më herët para Parlamentit, për shkak të vendimit të shumicës që deputetët të jenë në sallë në orën 9:30.

Ndërkohë ka nisur edhe zbatimi i planit të masave për protestën.

Perimetri i sheshit rrethues të Parlamentit është rrethuar me kordon hekuri.

Pjesa e pedonales është bllokuar me skela.

Rreth 800 efektivë policie ndodhen në Parlament. Forcat Shqiponja, FNSH e Garda janë vendosur përpara Parlamentit.

Sulmi i përgjakshëm në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane përballen me kritika

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!