“Një shoqëri që vret poetët e saj është një shoqëri e sëmurë”
Pier Paolo Pasolini, gazetari, poeti, filozofi, romancieri, regjisori i kinematografisë dhe teatrit lindi më 5 mars 1922 dhe u vra brutalisht natën ndërmjet 1 dhe 2 nëntorit 1975, rrëmbyer, rrahur e torturuar, në plazhin e Ostias. Pier Paolo Pasolini ishte intelektualu i jashtëzakonshëm italian, për faktin se angazhimi i tij shoqëror dhe profecitë politike e ruajnë ende domethënien e fortë në Italinë e ditëve të sotme. Romancier, poet, regjisor, Pasolini thuajse e ka kaluar shoqërinë italiane në lupë, duke e vendosur atë jo vetën në fjalë, por edhe në imazhe, në tërë vrazhdësinë e saj, gjithmonë duke ngërthyer arkaizmin dhe hijeshisë misterioze që përcakton punën e tij deri në fundin tragjik, në moshën 53-vjeçare.
Jo rrallëherë poeti dhe regjisori me famë botërore është përshkruar si një figurë tragjike. Kjo shpjegohej ndoshta nga interesi i tij i thellë për klasikët, për shkak të ideve politike, si dhe për shkak të rrethanave të vrasjes së tmerrshme dhe të pashpjegueshme ndodhur në nëntor 1975 në një zonë të varfër të Romës. Megjithëse ishte një nga mendimtarët dhe artistët më të rëndësishëm italianë, në rrugëtimin e jetës shpeshherë ndjehej i izoluar dhe i kundërshtuar jo vetëm për homoseksualitetin i tij, por edhe për pikëpamjet politike tejet radikale. Shkrimtari dhe miku i tij Alberto Moravia e konsideronte Pasolinin një figurë vendimtare të kulturës italiane; poezia e tij është në fakt shprehja e traditave dhe e kontradiktave të Italisë.
Si romanciar ai shkroi për realitetet e përafërta të periferive romake, ndërsa filmat e tij ofrojnë një larmi temash nisur nga klasikët grekë tek “Njëmijë e një net”, “Dekameroni” i Bokaçios apo përrallat e Chaucer, pa lënë mënjanë përshtatjen e tij të shkëlqyer dhe të dhimbshme të 120 ditët e Sodomës të De Sade. Sigurisht, kryevepra kinematografike mbetet interpretimi neorealist dhe poetik i jetës së Jezusit. Përveç kësaj, udhëtimet e Pasolinit në Afrikë i mundësuan që të konceptonte ngjashmëritë letrare dhe historike midis vendeve afrikane dhe evropiane, të cilat i përshkroi mandej në librin “Ati mizor”.
“Pier Paolo Pasolini e urrente dhunën dhe, për fat të keq, dhuna e shkatërroi. Ai ishte një njeri i guximshëm, shumë më i guximshëm se shumë bashkëqytetarë dhe bashkëkohës të tij, sepse ai kishte guximin të thoshte të vërtetën. Me vdekjen e tij kemi humbur një dëshmitar… Ai ishte mbi të gjitha një poet. Dhe poetë, në një shekull, lindin vetëm tre-katër në botë… Një shoqëri që vret poetët e saj është një shoqëri e sëmurë”, – do shprehej miku i tij Alberto Moravia.
I dhënë pas letërsisë, filloi të shkruajë poezi që në moshë të re. Personalitet i angazhuar poltikisht, që iu desh të sfidonte kritikat gjatë gjithë jetës së vet. Romanet, poezitë dhe lajmet e tij shpesh bëheshin shkak i skandaleve. Mbështetja e palëkundur e miqve, Laura Betti, Elsa Morante dhe sidomos Alberto Moravia, bënë që të përballonte dhunën e reaksionarëve italianë. Tejet kontroversial për shkrimet e veta, veçanërisht për prirjen e homoseksualitetit, është sulmuar gjithashtu edhe për “fyerje ndaj fesë” kryesisht me Ungjillin sipas Shën Mateut.
Veprimtaria e tij poetike përbën një ecuri konstante, e cila shoqërohet me botimin e disa prej teksteve më të rëndësishme të letërsisë italiane të viteve nëntëqind: “Ajka e rinisë” (1954), “Eshtrat e Gramshit” (1957), “Religjioni i kohës sime” (1961), “Poezia në formë trëndafili” (1964), etj. Në vitin 1955 shfaqet në fushën e prozës me “Djem jete”. Në vijim do të shkruajë edhe romane të tjera, si “Jetë e dhunshme” (1959), “Nafta” (botim postum i vitit 1992). Më 1960-1961 ndodh kalimi i tij në regjisurë, nëpërmjet filmit me metrazh të gjatë “Lypsari”.
“Suksesi është përherë diçka e keqe për një njeri”.