Pas lajmit befasues se Estonia do të ofrojë transport publik falas për qytetarët e saj, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, (jo vetëm për kryeqytetasit e saj, për të cilët ky shërbim falas është realitet prej janarit 2013, por gjithashtu për qytete të tjera të saj), edhe në Francë dhe Gjermani po konsiderojnë mundësinë e ofrimit të këtij shërbimi falas, për të zvogëluar kësisoj trafikun dhe ndotjen e ajrit, ndërsa Uellsi, në Britani të Madhe, po eksperimenton me lëvizje falas për autobusët, por vetëm gjatë fundjavës. Përveç Tallinn-it, projekti i transportit falas po prezantohet në Aubagne (Francë), Chengdu (Kinë), Hasselti (Belgjikë) dhe Zory dhe Zabki (Poloni).
Për nga sipërfaqja dhe popullsia, kryeqyteti shqiptar është shumë i ngjashëm me atë estonez, andaj krahasimi me të e marrja si shembull për zbatimin e kësaj ideje bën në një farë mase kuptim; duke konsideruar edhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe rëndësinë që ka brenda shteteve të unionit ndotja e ambientit dhe trafiku rrugor.
Sistemi aktual i transportit publik në Tiranë përbëhet nga 10 linja autobusi, që ofrojnë shërbimin e 250 deri në 260 autobusëve çdo ditë.
Por pse duhet konsideruar alternativa e transportit publik falas edhe në Shqipëri (Tiranë fillimisht)
Disa argumentojnë se transporti publik duhet të jetë një e mirë publike, e cila ofrohet falas, sikurse janë shkollat, parqet dhe bibliotekat. Dhe kjo është shihet dobiprurëse për qytetet, pasi duke u lehtësuar lëvizshmëria për njerëzit, nxitet kësisoj edhe aktiviteti tregtar.
Dy përfitimet kryesore prej kësaj nisme në kryeqytetin e Estonisë, Tallinn, janë rritja e numrit të të punësuarve, që shpjegohet me faktin se transporti falas zgjeron hapësirën e kërkimit të një pune në qytet, dhe ka më pak harxhime për vendet e parkimit për automjetet private, për ata që zgjedhin këtë alternativë transporti.
Transporti publik falas gjithashtu u mundëson njerëzve me të ardhura më të ulëta që të konsumojnë mallra dhe shërbime në të gjithë territorin e qytetit, pasi nuk kanë nevojë të shqetësohen për kostot e transportit.
Si financohet kjo nismë, e cila është përqafuar nga kryeqytetasit estonezë
Gjithçka përdoruesit duhet të bëjnë është të regjistrohen si rezidentë të qytetit dhe të paguajnë 2 euro për një “kartë të gjelbër”. Ndërsa vizitorët, duke përfshirë edhe ata nga pjesët e tjera të Estonisë, dhe turistët duhet të paguajnë për të përdorur rrjetin e autobusëve, tramvajeve, trenave etj., të Tallinn. Sipas zyrtarëve të bashkisë së Tallinn, kjo pagesë balancon mirë kërkesën dhe ofertën për transportin publik falas, duke gjeneruar thuajse 1 milion euro për çdo 1000 banorë.