MENU
klinika

"Populli është muza ime"

Kuteli i rrëfimit mjeshtëror

06.03.2019 - 12:54

Mitrush Kuteli është pseudonimi i Dhimitër Paskos, i njërit prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.

Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes.

Vepra letrare të tij janë vëllimet: “Netë shqiptare”, “Ago Jakupi”, “Kapllan aga i Shaban Shpatës”, “Dashuria e berberit Artan”, “Shënimet letrare”, “Sulm e lotë”, “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, “Mall e brengë”, “Havadan më havadan”, “Tregime të moçme shqiptare” etj.

Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me kryevepra të letërsisë botërore si “Kujtimet e një gjahtari” të Turgenjevit, “Tregimet e Petërburgut” dhe “Shpirtra të vdekura” të Gogolit, “Zotërinj Gollovlinovë” të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit poezi të Pablo Nerudës etj.

Dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë të popullit, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë një traditë të bukur tregimet: “Vjeshta e Xheladin beut”, “Hanet e karvanet”, “Si u takua Ndoni me Zallorët”, “Gjonomadhë e Gjatollinj”, “Xha Brahua i Shkumbanares”, “Kujtimet e kujtimeve”, “Natë muaji Shembiteri”, “Natë marsi”, “Qetësi para fërtyne” etj.(Flori Bruqi)

Kuteli, shkrimtari që sfidoi diktaturën dhe ringjalli shpresën

Poeti Petraq Kolevica, sjell kujtimet e tij për shkrimtarin e madh shqiptar Mitrush Kutelin, në ditën e 95-vjetorit të lindjes së tij, trishtime dhe poezi, brengosje dhe përsosmëri profesionale

“Me Mitrush Kutelin pata miqësi pothuaj dhjetëvjeçare (vitet 1958-1967). Ai – mjeshtër i njohur, në moshë të pjekur. Unë-një inxhinier i ri që vraponte pas muzave, por që ai, me zemrën e tij të gjerë, gjithmonë më ngrinte e më vinte pranë, në vendin e shokut… Te Mitrushi vija shpesh sepse atje – siç thotë Lumo Skëndo për Naimin – “I varfër vinja, i pasur shkonja, i urët vinja, i nginjët shkonja; pa shpresë vinja, plot shpresë shkonja; me shpirt të sëmurë vinja, kur shkonja ndjenja veten të gjallë e me shpirt”.

Përkthyesi

Që në maj 1939, është i pari që ia bëri të njohur lexuesit shqiptar poetin e madh kombëtar të Rumanisë, Mihail Emineskun, duke botuar librin me 24 poezi të përkthyera prej tij së bashku me një përshkrim të krijimtarisë dhe biografisë së poetit ku ka guximin të mbrojë idenë, deri diku të argumentuar, mbi prejardhjen shqiptare të kolosit rumun, prej të cilit, poezinë e parë e kishte përkthyer e botuar që në moshën njëzetedyvjeçare.

Katër vjet më vonë, përmes flakës së luftës së Dytë Botërore dhe përvojës së vet të hidhur në atë luftë, është i pari që ia bëri të njohur lexuesit shqiptar të madhin poet të Ukrahinës, Taras Shevçenko. Të kësaj kohe janë dhe vërejtet e tij të çmuara mbi saktësinë apo vlerat e përkthimeve si dhe mbi pastërtinë e gjuhës shqipe. Nga këto fjalë të thëna prej tij na ndajnë gjashtëdhjetë vjet, por më duket se sot janë edhe më të vlefshme. Dëgjojini:

“Duhet të themi se ne na duhen shqipërime, jo përkthime fjalë për fjalë. Ata që kanë dëshirë për të pasuruar shqipen me kryeveprat e letraturës së përbotëshme, lipset të zgjedhën rrugën e parë dhe jo të dytën”.

– (Në përkthimet) kemi penda varfanjake e sidomos kaleme anonimë që nuk njohën ligjet e shqipes edhe, shumë herë, as gjuhën nga e cila mburon vepra. Shumë përkthime, ku shqipja ka dalë e therrur me gisht”.

– “Dhe do t’u lutesha atyre që bëjnë ligje, të shtojnë një paragraf të ri në Kodin Penal për ndëshkimin e gjith atyre, të cilët, me që kanë një makinë shkrimi e një përkthim greqisht ose italisht të bërë pas një teksti frëngjisht, tallen me shqipen e me lëçitësin shqiptar”.

– “Shtypi ka një mision të rëndë dhe një përgjegjësi në raport me këtë mision. Për ndryshe shtypi, editori, bëhet përgjegjës krah për krah me përkthenjësin, si shkatëronjës të gjuhës”.

Mbi këto parime të qarta e të shëndosha e pati bazuar, qysh herët e deri në fund, punën e vet si përkthyes dhe me gjithë sa nxori nga dora, na dha shembuj të paarritshëm përkushtimi e cilësie të lartë. Kjo është krejt e natyrshme, sepse ai që e ka treguar veten me vepra origjinale të klasës së parë, nuk e ndyn dot dorën të bëjë përkthime të këqija. Këtu ka dhe diçka të veçantë.

Siç dihet, në të gjithë “kampin e socializmit” të atëhershëm, kur pllakosën akullnajat e diktaturës komuniste, disa shkrimtarë të talentuar nuk bënë pakt me djallin, po gjetën strehë te përkthimet dhe shkrimet për fëmijë. Kështu p.sh. në Rusi, Samuel Marshaku përktheu Robert Bërns-in e shkrimtarë të tjerë dhe bëri shkrime të këndshme për fëmijë. Valeri Brjusovi përktheu poezinë klasike armene. Boris Pasternaku, ndërsa punonte fshehtas Zhivagon e tij, përkthente pjesën e dytë, aq të vështirë, të Faustit të J.V. Gëte – dhe pjesë nga Shekspiri.

S’mbetej veçse fusha e gjerë e përkthimeve!

Dhe Mitrush Kuteli, me kularin e rëndë të normës së atëhershme, për pesëmbëdhjetë vjet me radhë (1952-1967) lëvroi gjerësisht lëmin e pafundmë të përkthimeve. Nga rusishtja përktheu mbi njëzet vëllime, nga rumanishtja (katër a pesë) vëllime, përktheu disa vëllime me prozë turke, kineze, persiane, arabe, mongole, polake, mblodhi e përktheu përralla të popujve të ndryshëm si dhe poezi të Elyarit dhe P. Nerudës (vëllimi “Zgjohu druvar”). Të gjitha këto bëjnë mbi shtatë mijë faqe librash të shtypura me gërma të vogla.

Po gjatë kësaj kohe, ai bëri dhe libra me shkrime origjinale të pranueshme për atë kohë si p.sh. “Pylli i gështenjave”, “Xinxifilloja”, “Tregime të moçme shqiptare” dhe “Në një cep të Ilirisë së poshtme” dhe poemën e pabotuar “Rrjedhin lumenjtë”, që së bashku bëjnë më shumë se njëmijë faqe. Gjithkush e kupton nga këto pak shifra të thata, se çfarë pune të rëndë ka bërë ai njeri aq i sëmurë!

Për cilësinë e lartë të përkthimeve të Mitrush Kutelit kanë folur e flasin me admirim të gjithë, veçanërisht për përkthimin e librit “Frymë të vdekura” (apo shpirtra të vdekur) të N. Gogolit, po ndonjë studim i mirëfilltë ende nuk është bërë. Kultura shqiptare këtu ka një borxh siç ka dhe për mosbërjen e një studimi mbi vlerësimin apo rëndësinë e shtatëmbëdhjetë librave e broshurave me shkrime ekonomike të Dhimitri Paskos-ekonomist. Kushedi, ndoshta dëgjon dikush nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike të U.T.

Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) ishte ekonomist i shquar, përkthyes i rrallë, por mbi të gjitha, ai do të mbetet si shkrimtar shqiptar, në një nga vendet e nderit të letërsisë shqipe, mjeshtër i veçantë i prozës dhe i fjalës shqipe.

Mitrushit, për atë frymëzim të pashoq me shpirt thellësisht shqiptar të shkrimeve të tij, mund të themi se i kishte hije, si askujt tjetër ndër shkrimtarët tanë, të përsëriste fjalët e francezit të madh Pierre-Jan Beranger: “Le peuple c’est ma muse” (Populli është muza ime).

Sepse populli ka qenë muza e tij, ai lexohet e do të lexohet me ëndje nga njerëz të thjeshtë, nga intelektualë të lartë, si dhe nga shkencëtarë të ftohtë dhe për të gjithë do të jetë një minierë e begatë.