MENU
klinika

"Pa artin nuk marr frymë"

Çfarë e mbajti Marjana Lekën në Shqipëri?

06.03.2019 - 21:33

Mariana Leka sopranoja e njohur e lindur më 27 nëntor 1961 në qytetin e Shkodrës.

Zëri i saj u rrit dhe u shkollua (për Kimi) në Fushë-Arrëz. Me ëndrrën për t’u bërë soliste iu fut Akademisë së Arteve nën mbikëqyrjen e sopranos “Artiste e Merituar” Edit Mihalit. Fillimisht ishte në kor e më vonë, në vitin 1991, spikati si soliste. Studioi gjithashtu për muzikë në Akademinë e Mantovas në Itali, nën udhëheqjen e sopranos Katia Ricciarellit.

Që nga ajo kohë ka interpretuar më shumë se 30 role operistike. Është vlerësuar me shumë çmime sikurse “Çmimi i parë” në konkursin ndërkombëtar të Operës Italiane në vitin 1996, apo “Çmimi i parë Marije Kraja” në Festivalin Operistik Shqiptar të mbajtur në vitin 1999.

marjana leka-konica.al

Gjithashtu ajo është vlerësuar si “Qytetare Nderi” e Pukës.

Ende në ditët e sotme ajo vazhdon të mbetet ndër sopranot më të mira të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Teksa pyetet për qëndrimin e saj në Shqipëri, ajo rrëfen se ka qenë gjithnjë zgjedhje e saj dhe ka qenë vetë publiku shqiptar i cili e ka mbajtur këtu, me anë të ndjekjes së tyre në vazhdimësi kundrejt figurës së Lekës.

marjana leka-konica.al

Përjetimet që provon nën lëkurën e dikut tjetër, ajo i merr me vete. E vështirë të ndahet prej tyre për muaj të tërë. Këtë jetë “dyfishe”, ndoshta askush nuk do ta kishte “duruar”, por Mariana Leka është një grua me fat. Njerëzit e saj më të afërt ia kanë krijuar të gjitha kushtet, që ajo të jetë, artiste me kohë të plotë.

Në jetë, është thjesht Marjana Leka dhe ngahera, siç ajo e përshkruan profesioni i artistes, është një nga ato angazhime pa të cilin Marjana vështirë se merr frymë… dhe për të arritur deri në stadin e një sopranoje në karrierë dhe të talentuar, i është dashur të ecë nëpër një rrugë të gjatë, që ka kërkuar edhe sakrifica, sa nga ana e saj, aq edhe nga familjarët.

Një nga episodet që ajo veçon si të vështira është edhe ai kur i është dashur të jetojë në një çati prej 16-viteve me vjehrrën.

Nga ana tjetër edhe vjehra e saj si fillim mesa duket nuk e përkrahte Marjanën plotësisht, as në statusin e saj të ri si ‘nusja e djalit’.

marjana leka-konica.al

“Përpara se djali të më prezantonte me bashkëshorten e jetës së tij, unë nuk e doja nusen artiste. Sepse do ishte gjithë kohën e ikur nga shtëpia, me angazhime me orar e pa orar, dhe më tepër merakosesha për djalin tim, kush do t’i bënte për të ngrënë, kush do ta hekuroste. Gjithsesi, kur erdhi Marjana në shtëpinë tonë, gjërat u pranuan siç erdhën, ashtu natyrshëm, pa ndonjë sforcim të madh… Nëse e donte djali im, nëse ai ishte i lumtur përkrah saj, edhe unë si prind do kisha të njëjtën ndjesi. Marjana është një nuse shumë e mirë, e sjellshme dhe që familjen e ka të shenjtë, dhe këtë tipar e kam vlerësuar gjithnjë tek ajo”, tregon Qamile Kalo, vjehrra e sopranos së njohur.

Që në fillim të jetës bashkëshortore, Marjana e dinte se nuk do të kishte mundësinë e të jetuarit vetëm me burrin. Do të ishte bashkë me vjehrrin e vjehrrën, në një apartament në qendër të Tiranës.

Nuk kishte zgjidhje tjetër, ndonëse kushtëzimi për të bërë gjërat e duhura dhe për t’u dhënë jetë dëshirave qoftë edhe të momentit, ishte një nga ato “kapitujt” e fillimit të historisë që e shfletonte herë me apo pa dëshirë.

“Kur hyra në fillim, e ndava mendjen që nuk do jetoja vetëm me burrin. Në atë strehë do ishin edhe prindërit e tij. Më mbeti pjesa e përshtatjes, por sigurisht jo e të dalit nga vetja. Nuk e kam menduar me tmerr, i kam thënë vetes që ata janë në një moshë të caktuar, mbi supe kanë një histori të tyren dhe të jetosh me dy njerëz që i përkasin gjeneratave të tjera nuk është fare e pakonceptueshme. I kam shmangur tensionet, mendimet negative, në radhë të parë për një rehati shpirtërore timen, dhe për tim shoq”, rrëfen Marjana.

Nuk ka bërë veprime të sforcuara, apo nuk është përpjekur që gjërat t’i ndrydhë brenda vetes, vetëm për t’i bërë qejfin vjehrrës dhe për të mos e cenuar raportin me të. Është ulur shtruar me Qamilen dhe i ka bërë të ditur se deri ku shkojnë kërkesat e saj dhe ku dëshiron që të mos preket apo fyhet.

“Sime vjehrre i kam thënë që në fillim dy gjëra: gjumin e mëngjesit e kam shumë të rëndësishëm dhe dua të mos ma prishë njeri… Me idenë që e shijoj shumë atë kapitjen me gjumë deri në orën 8:30… dhe e dyta, në mëngjes nuk bëj asnjë punë shtëpie sikur të puthitet qielli me tokën… Në fillim, ime vjehrrë nuk bëri ndonjë skenë, nuk është se s’më foli për ditë të tëra, apo ndikoi tek i biri… thjesht i mori si të mirëqena dhe mua më erdhi mirë për këtë”, vijon Leka.

marjana leka-konica.al

Ashtu siç, nga ana e saj, Qamilja, edhe sot kur kanë kaluar rreth 20 vjet nga bashkëjetesa në një shtëpi me nusen, e ka peng në zemër që me Marjanën nuk ia doli dot të vazhdonte traditën e të pirit të kafesë që në pikë të mëngjesit…

“Edhe sot që e kujtoj më dhemb kjo gjë. Kur mora vesh që nusja e djalit nuk e konsumonte fare kafenë, më ra si bombë. Dhe nisur nga kjo, fillova që të bëja vetëm kafe për tim shoq. Çohesha herët, ia përgatisja e ia vija tek koka e krevatit (gjë të cilën e bëj edhe sot), ndërsa Marjana vazhdon e qetë detyrimet e saj”, pohon 73-vjeçarja.

Tashmë, prej dy vjetësh, Marjana Leka me familjen e saj janë zhvendosur në një apartament personal, me më shumë hapësirë, vetëm ata të tre dhe pa praninë e prindërve të të shoqit.

Nuk ishte kjo një zgjedhje personale, apo dëshirë e Marjanës për të qenë larg tyre… ishte momenti që trokiti që ata të pozicionoheshin diku tjetër, ndonëse ftesa për të jetuar të gjithë së bashku ishte e drejtpërdrejtë për të dy prindërit e bashkëshortit të saj.

Këta të fundit preferuan që pleqërinë ta ngrysnin në folezën e tyre, ku ende jetojnë të dy.

/Bionelda Skonja

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!