MENU
klinika

"Nuk e ndjej vetminë se me mua është kënga"

Marije Kraja, ndër solistet e para të TOB

07.03.2019 - 20:31

Marije Kraja, lindi më 24 Shtator të vitit 1911 në Zarë të Kroacisë.

Vetëm kur ajo ishte 6- vjeç familja e saj vendoset në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934.

Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.

Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, në vitin 1936 u emërua pedagoge në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”.

Më vonë në vitin 1946, punoi pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik, më pas në ILA dhe TOB ku ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni. Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithcka që ndodhi në muzikën shqiptare.

marije kraja-konica.al

Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj. Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut.

Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj.

I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës poppullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.

Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966.

Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.

marije kraja-konica.al

Në bisedat e shkuara, më herët, Kraja thoshte:

“Unë kurrë nuk e ndiej vetminë, pasi me mua është kënga. Duke bërë ngadalë punët e shtëpisë, duke përgatitur drekën apo darkën, këndoj me vete. Dhe më bëhet sikur në shtëpi çdo gjë është e gjallë, sikur dëgjoj duartrokitjet e dëgjuesve dhe admiruesve të mi.”

“Kangën popullore unë e kam kënduar qysh fëmijë. Nana ka këndue shumë bukur. Nga ajo kam mësue. Për të interpretuar kangën, qoftë popullore, qoftë klasike, duhet të jesh e ngopur nga përmbajtja e pjesës, nga historiku i krijimit të saj.

Kam vënë re se artistët këndojnë tekstin, pa e ditur se çfarë këndojnë. Secila fjalë, edhe kur flasim, jo ma kur këndojmë, ka ngjyrën e vet. Një fjalë e theksoj më shumë, njërën e kaloj më lehtë, tjetrës i jap një za më të rëndë, gravé. Duhet të njohësh mirë dhe stilin e autorit, në çfarë kohe ka jetuar, si ka jetue, çfarë ka ba, çfarë e ka shtye për të shkruar në atë mënyrë etj. Për shembull, kur kam kënduar në operën “Traviata”, në fillim kam lexuar librin, e kam zbërthyer, e kam thithë fije e për pe, pastaj kam dhanë atë që kam ndier unë. Gjithashtu, duhet ta dish të bash dallimet, se opera është tjetër gja, romanca është më e thjeshtë, lideret janë tjetër etj. Këto gjini janë të caktuara dhe këngëtari nuk duhet të bëjë ekzagjerime.

marije kraja-konica.al

Duhet të japësh aq sa të ka caktua muzika. Në qoftë se ke tre të katërtat, brenda kësaj periudhe do të japësh krejt brendinë, t’ia nxjerrësh thelbin filozofik, çfarë ka dashur të thotë me atë kangë. Nga përvoja ime, u kam thënë këngëtarëve: kur lexoni tekstin e kangës, duhet të emocionoheni vetë, se po nuk u emocionuat vetë, ju atëherë këto ndjenja nuk do t’ia transmetoni publikut, se jeni të akullt për vete.

Ka raste që dy këngëtarë këndojnë një duet. Ata duhet të dëgjohen në harmoni me njëri-tjetrin, por ndodh që njëri këndon më fort për t’ia kalue tjetrit. Kjo nuk është ma muzikë. Kangëtari duhet të kapë vijën melodike që do të përcjellë. Në qoftë se njëri është primar, ai tjetri duhet ta përcjellë sa më bukur, për të nxjerrë në pah zanin e të parit. Kjo është e kënduemja për mue. Kënga popullore ka teknikën e vet dhe nuk mund të përdorësh të njëjtën teknikë si të muzikës klasike, se pastaj kanga bastardohet.”

Marije Kraja vdiq më 21 Nëntor 1999.

/Bionelda Skonja