MENU
klinika

Pas incidentit

Frikë nga dhuna, mjekët e Lezhës në protestë

08.03.2019 - 09:33

Një ditë pas dhunimit të mjekut Zef Doda në ambjentet e spitalit të Lezhës, stafi mjekësor i këtij spitali ka ndërprerë punën dhe ka dalë në protestë në shenjë solidariteti me kolegun e tyre si dhe për të dënuar dhunën ndaj bluzave të bardha.

Mjekët thonë se ndihen të pasigurtë në vendin e punës dhe kërkojnë mbrojtje, pasi janë raste të përsëritura.

Dermatologu, Zef Doda, u dhunua me sende të forta në zyrën e tij nga një 24 vjeçar nga Mirdita i identifikuar si Eduard Lleshi, i cili u vetëdorëzuar në polici pas disa orësh.

Mësohet se në dëshminë e tij dhunuesi ka thënë se e qëlloi me grushte pasi mjeku ishte në gjendje të dehur dhe nuk po i shërbente.

Mjeku: Pacienti ishte pa sistem referimi dhe kërkonte të vizitohej me çdo kusht.

Ai ka marrë dëmtime serioze ndaj pas ndihmës së parë u soll për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.

Por kolegët thanë se çdo ditë janë përballë kërcënimeve të tilla për shkak të problematikave të sistemit të shëndetësisë.

Në të njëjtën kohë në Tiranë u denoncua dhunimi i një specializanteje në QSUT, duke konfirmuar alarmin e mjekëve për sigurinë.