MENU
klinika

164 leje në gjashtë muaj

Shtohet zelli i ndërtimit në Tiranë

31.08.2018 - 12:35

Zelli i ndërtimit në Tiranë po vazhdon me ritme të larta edhe gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e dytë të vitit u dhanë 99 leje ndërtimi, nga 59 që ishin dhënë në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Për gjysmën e parë të vitit, në kryeqytet u dhanë gjithsej 164 leje ndërtimi, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera totale e projekteve, sipas lejeve të miratuara, është mbi 10 miliardë lekë ose rreth 80 milionë euro. Për të tretin vit radhazi, lejet e ndërtimit po rriten me ritme të shpejta. Kjo kohë përkon afërsisht me heqjen e moratoriumit për dhënien e lejeve të reja dhe me aplikimin e sistemit të lejeve online. Përmirësimi gradual i kërkesës së brendshme ka shtuar nevojën për ndërtime të reja, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë po jep shenja gjallërimi.

Interesat e ulëta të kredisë bankare kanë nxitur shumë familje të shfrytëzojnë këtë situatë për të blerë apartamente. Interesi mesatar i kredive për blerje banesash në korrik ishte 3.1% në monedhën euro dhe 3.8% në lekë, duke qëndruar në nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë. Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimit të banesave, në terma nominalë, nuk pësoi ndryshime të rëndësishme gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018. I llogaritur në terma realë, duke zbritur normën e inflacionit, indeksi i çmimit të banesave regjistroi rënie prej 2.5%.