MENU
klinika

Bisedimet me Dhomën e Avokatisë

KLP ende pa një godinë

10.03.2019 - 21:07

Qeveria shqiptare ka hyrë në bisedime me Dhomën Kombëtare të Avokatisë për të marrë ambientet e programuara për Shkollën e Avokatëve si një alternative ku do të zhvendosen tre nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Shkolla e Magjistraturës

Prokurori për Krimet e Rënda, Bujar Sheshi thotë:

“Pardje më ka ndodhur një fenomen interesat që nuk kisha pasur ndonjëherë përvojë në jetën time. U ngrita në mëngjes dhe thashë ku do shkoj sot unë? Përveç kafes nuk dija ku të shkoja tjetër.”

Kanë kaluar afro katër muaj nga kjo deklaratë e anëtarit të KLP-së dhe ende Këshilli i Lartë i Prokurorisë vijon të jetë klandestin pa institucion dhe pa zyra për të punuar.

Me miratimin e strukturës së re ky institucion pritet të ketë përveç anëtarëve edhe 65 punonjës pjesë të administratës, por tashmë e gjithë struktura mbështetëse dhe anëtarët e këshillit, janë të shpërndarë nëpër tre institucione, të cilat u kanë hapur dyert për t’i strehuar.

Më ndryshe është situata në Këshillin e Lartë Gjyqësor, e cila po përdor ambientet e ish KLD-së . Probleme ka edhe me Shkollën e Magjistraturës, e cila prej vitesh ka një kat në të njëjtën godinë me Fakultetit të Inxhinieri Minierave, por me rritjen e numrit te studentëve këto ambiente janë të papërshtatshme.

Por mesa duket qeveria e ka gjetur zgjidhjen për të sistemuar. RTV Ora ka mësuar se një nga variantet për të sistemuar këto tre institucionet nga më të rëndësishme, ne vend do të jenë ambientet e programuara për shkollën e avokatëve.

Godina e cila ndodhet pranë fushës së aviacionit është ende e papërfunduar por këto ambientet janë tepër luksoze dhe tashme është mësuar se për marrjen e tyre qeveria është në bisedime me dhomën kombëtare te avokatisë.

Janë afërsisht 25 mijë metra katror truall që u ka kaluar Dhomës Kombëtarë të Avokatisë nga qeveria Berisha në vitin 2013.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 7 gusht të vitit 2013 thuhet se kalohet në përgjegjësi administrimi nga Ministria e Mbrojtjes, tek Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare, pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 25 mijë metra katrore.

Kjo sipërfaqe njihet si prona me numër 64, me emërtimin ‘ish-Fusha e Aviacionit’, ndërkohë që në vendim thuhet që Ministrisë dhe Dhomës së Avokatisë u ndalohet të ndryshojmë destinacionin e pronës, ta tjetërsojnë atë, apo t’ua japin në përdorim të tretëve.