Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, tha se do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e partisë së saj për të djegur mandatet parlamentare.
Në një intervistë për VOA, Hajdari u shpreh se ka marrë vendimin e duhur për të mos djegur mandatin e deputetes pasi sipas saj, Parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend.
“Parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, i jep oksigjen partive politike. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin, prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri e lartë që ndjej mbi shpatulla, mendoj se qëndrimi në parlament është vendimi i duhur që i shërben të ardhmes së Shqipërisë”– nënvizoi deputetja.