MENU
klinika

Flet ministri i Brendshëm

Trazirat e opozitës/ Lleshaj: Njerëz të paguar që vijnë me autobus

11.03.2019 - 22:28

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, komentoi situatën e krijuar në vend dhe protestat e organizuara nga opozita.

Sipas ministrit Lleshaj protestat nuk bëhen me “grafik”, ndërsa i cilëson ato si përpjekje për të destabilizuar vendin.

Gjej rastin të bëj thirrje edhe partive opozitare që të thërrasin në ndihmë arsyen dhe të heqin dorë nga dhuna. I bëj thirrje edhe qytetarëve që të mbështesin fatin e tyre dhe të mos prodhojnë imazhe të gabuara. Djegia e gomave situatë absurde që më turpëron kur i shoh.

Dëmtojnë imazhin dhe ndotin mjedisin. Prodhojnë një skenë që nuk na ka hije si komb. Imazhe që krijojnë përshtypjen e një vendi jo normal, ndërkohë që situata është normale në vend. Protestat nuk bëhen me grafik. Kjo që po ndodh nuk janë protesta të popullit shqiptarë, këta janë njerëz të paguar që vijnë me autobus”, tha Lleshaj.

I pyetur për lëndët që u përdorën në protestë për shpërndarjen e protestuesve, të cilat u cilësuan helmuese, Lleshaj u shpreh se Shqipëria është vendi i parë në botë që ka hequr dorë nga këto lëndë.

“Lëndë helmuese Shqipëria nuk ka për arsye se Shqipëria është vendi i parë në botë që ka hequr dorë nga lëndët helmuese ushtarake. I ka hequr vullnetarisht. Gazi lotsjellës nuk është lëndë helmuese ushtarake. Ato kanë si qëllim që të vrasin, ndërsa gazi ka si qëllim të qetësojnë situatën ose të shpërndajnë turmën kur shkelet siguria.

Në atë rast ka pasur dhunë të vazhdueshme dhe sulm ndaj Policisë. Përdorimi i gazit lotsjellës besoj se e ndeshni në çdo protestë. Është përdorur për herë të parë, sepse më përpara qeveria nuk ka përdorur këto mjete për të shpërndarë turmat, por duke përdoru plumbat dhe protestat janë mbyllur me gjak”, nënvizoi ministri i Brendshëm.