Mjekët e QSUT kanë dalë edhe sot në protestë duke u solidarizuar kështu me kolegë të tyret, kundër dhunës ndaj mjekëve.
Mjekët në Tiranë kanë dalë me një apel. Ata kërkojnë respekt për punën e tyre që shpëton jetë.
“Spitalet tane jane ambiente qe ofrojne siguri, mbrojtje, shpetim jete. Thirrje per bashkim, per te ndaluar dhunen, thirrje per politikeberjen, drejtues dhe administratore te institucikneve, per te hetuar shkaqet, faktoret qe ndikojne ne kete situate. Dhuna ne kushtet e punes duhet te marre ndeshkimin e merituar”, tha mjeku Arjan Harxhi, nga protesta te QSUT.
Mjeku Tritan Kalo ka kërkuar ndërhyrje për të marrë të gjitha masat në mbrojtje të mjekëve dhe të bluzës së bardhë, që është e shenjtë.
“Mos harroni që në 1997 kur tërë shteti u shkërmoq ishin mjekët ata që qëndruan gati për të ofruar ndihmë. Nuk i keni nga mjekët problemet, nuk jeni të varfër nga mjekët, e nëse flitet që për ata që shkelin barin në fushën e futbollit të dënohen 3 vjet, ata që dhunojnë mjekët e kanë pak edhe 30 vjet”, tha ai.
Ndërkohë nga protesta e mjekëve të QSUT ka folur edhe zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e cila kërkoi ashpërsim të kodit penal për dhunuesit e mjekëve.