MENU
klinika

Miqësi 600-vjeçare

Hebrenjtë në kujtesën e vlonjatëve

13.03.2019 - 15:32

Vlora përbën një precedent pozitiv e të veçantë, në krejt vendin e më gjerë, për dimensionet dhe hapësirat që ka krijuar për hebrejtë, të cilët kanë ardhur këtu në momente të ndryshme të historisë.

Zanafilla e kësaj miqësie, shtyhet tutje në shekuj dhe mendohet të ketë një histori pothuajse 600-vjeçare. Gjurmët e kësaj historie tashmë kanë mbetur në kujtesën e qytetarëve vlonjatë, që ruajnë përshtypjet më të mira për ata banorë fisnikë që u bënë pjesë e jetës së qytetit të Vlorës, deri në fillim të viteve 1990-të. Në qytetin e Vlorës jetoi një komunitet i konsoliduar hebrejsh. Një pjesë e madhe e tyre banonin në një rrugë, që, sot është shpallur monument kulture dhe është emërtuar „Rruga e hebrejve“. Kjo rrugë, ndodhet pranë qendrës së këtij qyteti dhe ka një gjatësi prej 46 metra dhe gjerësi 4.5 metra. Në të dy anët e saj, ngrihen banesa karakteristike dy dhe tre katëshe, të cilat janë ndërtuar në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.

Sipas historianit, Novruz Bajrami, hebrenjtë e parë në qytetin e Vlorës, kanë ardhur në vitin 1430. Ata kanë mbërritur këtu nga Spanja. Ai thotë se, në vitin 1520, komuniteti i hebrenjve në Vlorë, ishte i përbërë nga 525 banorë, nga 4000 që kishte qyteti gjithsej. Por, për historianin Bardhosh Gaçe, mbërritja e hebrejve në qytetin e Vlorës, është pak më e mëvonshme. Sipas tij, ajo daton me vitin 1490. Në këtë periudhë, që përkon me mbretërimin e Ferdinandit dhe të Izabelës, Spanja katolike dëboi nga territori i saj, hebrejtë sefradikë. Një pjesë prej tyre erdhën në Ballkan dhe shumë nga ata mbërritën në Vlorë. Në vitet 1519-1520, Vlora ishte bërë edhe një lloj qendre në rajon, për hebrejtë. Madje, në atë kohë, në këtë qytet ekzistonin 609 banesa të hebrejve, të cilët kishin ndërtuar diku pranë qendrës së sotme edhe një objekt kulti, sinagogën, që, sipas historianëve, ka ekzistuar në Vlorë, deri në Luftën e Parë Botërore, kur është shkatërruar dhe prej saj nuk ka mbetur më asnjë gjurmë.


Një valë tjetër e ardhjes së hebrejve në qytetin e Vlorës, është rregjistruar në vitin 1850. Ata mbërritën këtu, nga Janina e Preveza (Greqi). Në këtë mënyrë komuniteti i hebrejve në Vlorë u konsolidua deri në vitet e prag dhe gjatë luftës së Dytë Botërore, që shënuan edhe momentin e fundit të mbërritjes në Vlorë të hebrejve. Ardhja e tyre lidhej me përpjekjet për t’i shpëtuar ndjekjes dhe shfarosjes nga nazistët gjermanë, që zbatonin politikën antisemite. Nuk ka shifra të sakta të numrit të atyre që kanë ardhur në Vlorë në këtë periudhë. Momentet që përjetonte vendi dhe kushtet në të cilat udhëtonin dhe strehoheshin në Vlorë, hebrejtë e bënin të pamundur evidentimin e statistikave. Strukturat zyrtare lokale shqiptare të asaj kohe në Vlorës, sipas studjuesit Fari Shaska, nuk bashkëpunonin në këtë drejtim me autoritetet pushtuese gjermane, përkundrazi.

Asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, banorët e Vlorës i mbrojtën dhe i fshehën bashkëqytetarët e tyre hebrenj, duke i shpëtuar nga rreziku që u kanosej prej pushtuesve gjermanë. Një pjesë e madhe e tyre kaluan në ilegalitet të plotë brenda në qytet, ndërkohë që, mjaft të tjerë u larguan përkohësisht në fshatrat përreth. Mendohet që, në ato vite në Vlorë të jetë ndërtuar dhe të ketë funksionuar një sistem efikas për të mbrojtur hebrejtë nga gjetja dhe arrestimi prej gjermanëve. Banesa të ndryshme brenda në qytet, apo fshatra përreth, u bënë streha e sigurtë për ta. Për rrjedhojë, asnjë qytetar hebre nuk u ekzekutua dhe nuk u dorëzua nga gjermanët në Vlorë, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Për këtë dëshmon dhe ngjarja e verës së vitit 1944, kur pushtuesit nazistë realizuan internimin masiv të rreth 800 burrave, qytetarë të Vlorës, 600 prej të cilëve u ekzekutuan në kampet e përqëndrimit në Gjermani e gjetkë. Në rradhët dhe listat e të internuarve, nuk ishte dhe nuk përfshihej asnjë qytetar hebre.

Tregimi i Anës

Pak vite më parë, Ana Kohen, me origjinë hebreje, banore e dikurshme e Vlorës, sot me rezdencë në SHBA, më tregonte: “Para Luftës së Dytë Botërore, prindërit e mi jetonin në Janinë (Greqi). Për shkak të rrezikut që u kanosej nga gjermanët, ata u larguan prej andej dhe erdhën në Shqipëri, në vitin 1940, pak pasi kishte përfunduar lufta italo-greke. Prindërit e mi u vendosën në qytetin e Vlorës, ku gjetën mikpritjen e popullit të këtij qyteti. Ata ndërtuan jetën në këtë qytet të bukur, me njerëz fisnikë. Pushtimi i Shqipërisë dhe i Vlorës, shtoi rrezikun për jetën e tyre. Nga tregimet e tyre, mua më kujtohet se ata, të këshilluar e të ndihmuar nga vlonjatët, u larguan në drejtim të një fshati jo shumë larg qytetit, që e ka emrin Trevllazër. Këtu jetuan në ilegalitet të plotë, të strehuar e të ndihmuar, nga banorë të këtij fshati. Për t’u shfaqur si banorë vendas ndaj gjermanëve që mund të vinin papritur, ata ndërruan edhe emrat. Babai, që quhej David, mori emrin Daut, ndërsa nëna u quajt Bule, ndërkohë që emrin e kishte Nina. Ata qëndruan në këtë fshat, deri në përfundim të luftës dhe sërish u kthyen në Vlorë. Unë jam njeri nga katër fëmijët e prindërve të mi, që linda pas lufte në këtë qytet. Kisha një motër tjetër dhe dy vëllezër. Në Vlorë kalova fëmininë, rininë e hershme. Përfundova shkollën fillore, 8-vjeçare dhe atë të mesme. Më kujtohet se, shkolla e mesme ishte jo shumë larg banesës sime dhe mbante emrin “Halim Xhelo”. Ruaj kujtime të mira e të këndshme nga ato vite e nga shokët e shoqet e gjimnazit, të cilin e përfundova në vitin 1964. Këtu ndërpritet edhe jeta ime në Vlorë e në Shqipëri. Prindërit e mi nuk e kishin ndërruar shtetësinë, duke mbajtur atë greke. Për shumë vite me rradhë ata kërkuan largimin drejt Greqisë. Babai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe duhej të kurohej jashtë vendit. Na u dha leja. Në vitin 1966 u larguam nga Vlora e Shqipëria, drejt Janinës. Ishim 7 pjestarë të familjes sonë, ne, katër fëmijët, dy prindërit dhe gjyshja. Vite më pas u vendosëm në SHBA”. Ky është tregimi i Anna Kohen, e lindur në qytetin e Vlorës, nga prindër izraelitë dhe që jeton prej vitesh në SHBA.

 

Hebrenjtë në Vlorë, jo si emigrantë

Komuniteti hebre në qytetin e Vlorës bashkëjetoi dhe ndërtoi raporte të shkëlqyera me banorët vendas. Hebrejtë nuk u trajtuan kurrë si emigrantë, por si vlonjatë të vërtetë, shkruan ATSH. Ata kanë bashkëjetuar në mënyrë shembullore në komunitet dhe, madje kanë bërë edhe martesa jashtë racës së tyre. Hebrejtë kanë ushtruar profesione të ndryshme, mësues, ekonomistë. Në memorjen e vlonjatëve, ka mbetur e gjallë figura e Dolas, fisarmonicistit të njohur të trupës së Estradës, i cili i bënte për vete artdashësit me talentin e tij të spikatur. “Nuk mund të konceptohej e të funksiononte orkestrina e trupës së estradës pa Dolan, që ishte shpirti i saj“, thonë aktorë e ish- aktorë të trupës së Varietesë.
Vitet 1990-1991 shënuan edhe momentin kur hebrenjtë u larguan nga qyteti i Vlorës, për në Izrael. Por, ata kanë lënë pas kujtime, që nuk do të shlyhen kurrë nga kujtesa e vlonjatëve.

 

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe