Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj premtoi se rikonstruksioni i konvikteve do të përfundojnë para se studentët të largohen për pushimet e verës.
Gjatë inspektimit në godinën 5 në Qyteti Studenti, Veliaj i shoqëruar edhe nga zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari vlerësoi transformimin e bërë.
“Kjo është pjesa jonë që vjen nga Pakti me Universitetin; pra, rregullimi i konvikteve. Më shumë se gjysma e konvikteve janë në proces rikonstruksioni. Fillojmë shumë shpejt me KFW dhe tjetrin me TIKA-n, ndaj besoj se para verës, para se studentët të largohen për pushime, të kemi përfunduar rikonstruksionin e të gjitha konvikteve, që të mbajmë fjalën për detyrën që na u dha nga Pakti me Universitetin”, shprehet Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se puna që po bëhet me konviktet është vetëm njëra pjesë e transformimit që do të pësojë i gjithë Qyteti Studenti, teksa shtoi se ndërtimi i një kampusi të mirëfilltë universitar është objekti i radhës.
Zëvendësministri i Brendshëm vuri në dukje se këto konvikte të rikonstruktura nuk kanë ndryshime me kushtet e studentëve jashtë vendit.
“Unë kam parë se si janë konviktet jashtë në Itali, në Angli, kudo ku kam qenë, dhe mund të them me bindje të plotë se këto janë kushte realisht dinjitoze, ku prindërit mund të ndihen shumë mirë që fëmijët e tyre po studiojnë në këto ambiente”, tha Llamari.
Kryebashkiaku bëri të ditur se paralelisht me punën që po bëhet për përmirësimin e insfrastrukturës në godinat e banimit, po punohet për punësimin e studentëve ekselentë.