MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

Skënderbeu nuk ishte as kryqtar e as zellot

15.03.2019 - 19:16

Lufta e gjithsejtë e arbërve në mesjetë kundër invazorëve osmanë, sidomos në kohën e Skënderbeut, natyrisht që e ka nji dimension «huntingotnian», pra nji përplasje qytetnimore ku mpleksën sa e sa motive, ngjyra, flamuj, pasione…

Në kohën kur dinastia e osmanjlive ndillte ghazitë turkmenë me ba inkursione në Ballkan (xhihadistat e asaj kohe), natyrisht që responsi i popujve, të sapodalë nga Bizanti, ka qenë i kërshtenë. Po pikënisht këtu e ka hak nji shpjegim:

– Nëse e mënjanojmë «wishful thinking» të ndonji studiuesi të kompleksuem që priret me pjell katolikë aty ku kurrë s’ka pas, pjesa dërrmuese e ekumenës shqipfolëse në mesjetë ka qenë e ritit ortodoks-bizantin.

Kërshtenimi arbnor, mas skizmës së madhe, ka qenë shënjimisht i ritit bizantin: arhondi i entitetit të parë arbëror në mesjetë, Progoni, ka qenë ortodoks; Balshajt kanë qenë ortodoksë, njiashtu edhe Muzakajt, Topiajt, Kastriotët, Zenebishët, etj.

skenderbeu-konica.al

– Megjithatë kërshtenimi bizantin asnjiherë nuk u kuptue seriozisht, prandaj asnjiherë s’ka qenë rranjëthellë n’Arbëri.

Në bashkësitë e lira krahinore që bubërronin mas paganizmit nativ, në kohën e lindjes së fisit si formacion socio-politik në malësi, feudalizimit copa-copa, zor që ka pas terren pjellor për teologji doktrinare, debate fetare, herezi, prozelitizëm a fanatizëm. Prandaj, njohësi i ortodoksisë shqiptare prof. Christides vëren qysh në Athos thuejse rrallë e përmallë përmenden vizitorë apo murgjën eremitë shqiptarë.

– Sado që të bamat e Skënderbeut e kanë përnaltësue atë në panteonin e heronjve të «Christendom»-it, sado që eskatologjitë e popujve të shtypun e kanë pa si nji hero mesianik, e vërteta e epopesë skënderbegiane (1444-1468) jep nji pikturë tjetër: kontigjentet luftarake të Skënderbeut shumicën e kohës kanë luftue kundër timariotëve osmanë (turkmenë apo konvertë) në Maqedoninë e sotme, sidomos rreth dhe afër Shkupit, Pollogut, Ohrit e ndonji rast edhe deri në kufinin me Bullgarinë. Pjesa tjetër asht asgjëmangut fushata, beteja e ndeshje me despotin serb Brankoviç, me venedikasit (në trekandshin Lezhë-Shkodër-Drisht), me anzhuinët në Kalabri…Prandaj, s’ka urë me qëndrue mëtimi i kujtdo që Skënderbeun e barabitë me ndonji krusader si: Bohemundi, Riçard Zemërluani, etj.

skenderbeu-konica.al

– Dija evropiane, sidomos mas betejës së Lepantos (1571), askurrë nuk e shkërbente Skënderbeun me ndonji zellot të fandaksun mas Jerusalemit.

Përkundrazi, Jacuqes de Lavardin, nji fisnik francez në oborrin e mbretit Henri III, në parathanien e librit të tij për Skënderbeun, iu bante thirrje fisnikëve francezë me u bashkue hygenotë e katolikë tu e pas si model shembullin e heroit shqiptar.

– Prandaj, s’ka lidhje pse ndonji rrufian i krisun mundet me e pas tatoo (tatuazh) Skënderbeun e me ba vrasje masive. Skënderbeu s’ka qenë as luftëtar i ‘allahut’ e as ‘atlet i Krishtit’.