Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati morri pjesë në konferencën shkencore të organizuar nga Ministria e Jashtme Greke dhe Universiteti i Pireut.
Bushati takoi ish-homologun e tij, Kotzias ku ka folur dhe për negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e shumë debatuar të Detit.
“Nga eksperienca ime në raportet dypalëshe me Greqinë, gjëja më e lehtë është të parashtrosh pozicionin tënd përballë fqinjit dhe kjo të bën shumë të pëlqyer brenda vendit por ama është e pamjaftueshme për të ndryshuar gjërat.
Së bashku me Nikos Kotzias dhe me ekipet tona ne vendosëm që të angazhohemi për të zgjidhur çështjet dypaleshe të paketës dhe unë besoj që diplomatet tanë dhe Kryeministrat do ta përfundojnë këtë proces, duke siguruar cilësinë dhe integritetin e debatit publik, i cili nuk duhet lejuar që të helmohet. Unë shpresoj që paketa me Greqinë do të kthehet në një histori tjetër suksesi në rajonin tonë”, nënvizoi ai.
Ndërsa ish-ministri i Jashtëm Grek, Nikos Kotzias u shpreh se dy vendet kanë marrë hapa seriozë në bashkëpunimin mes tyre.
“Vijuam për të zgjidhur probleme prej dekadash me Shqipërinë. Miku Ditmir Bushati, një Ministër jashtëzakonisht inteligjent dhe krijues, së bashku me ekipin e tij negociues, arriti së bashku me ne, në zgjidhjen e pothuajse të gjithë këtyre çështjeve. Disa duket se nuk dëshirojnë përfundimin zyrtar të gjendjes së luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë që nga Lufta e II Botërore. Por ne kemi ndërmarrë hapa seriozë në bashkëpunimin tonë. Ditmir të falënderoj për çdo gjë të mirë që bëmë për popujt tanë dhe për bashkëpunimin e shteteve tona”, tha Kotzias.
Gjatë qëndrimit në Athinë, Bushati zhvilloi takime me përfaqësues të spektrit politik grek, ku në qendër të diskutimeve ishte bashkëpunimi dypalësh.