Një nga veshjet më karakteristike të shqiptarëve që e gjen me një shtrirje gjatë gjithë territoreve ku ka banuar etnia shqiptare është fustanella.
Në mënyrë të gabuar shpesh herë ajo është referuar si një veshje kombëtare e përdorur vetëm në jug të Shqipërisë, por në fakt si mund të identifikohet dhe nga një numër gravurash të fillimit të shekullit të XIX por edhe nga fotografitë e Fototekës “Marubi’, fustanella gjen një shtrirje të admirueshme si veshje edhe në veri të territoreve shqiptare duke marrë pa dyshim atributet e një veshje kombëtare gjithë shqiptare.
Fustanellë, një veshje burrash e cila e merr këtë emërtim duke qenë se është një lloj fundi i bardhë, i bërë me pëlhurë pambuku dhe me shumë rrudha. Nën këtë fund mbatheshin të mbathura të gjata, mbi të cilat nga nyje e këmbës e deri tek gjuri visheshin kallei prej shajaku. Në disa raste këto zgjateshin deri në rreze të kofshëve, prandaj dhe quhen kofshare.
Në pjesën e sipërme vishej një këmishë e shkurtër me mëngë të gjera, jeleku dhe mëngorja (në mënyrë të varura pas). Në bel vinin një brez të gjerë leshi, mbi të dhe një tjetër prej lëkure të zbukuruar mbi të cilin futeshin e vareshin armët e brezit. Në stinën e ftohtë pjesë e kësaj veshje ishte edhe flokata e leshit. Ndonëse në kokë vihej një feste e bardhë me një thumb në mes. Deri në fillim të shek. XX kjo veshje është mbajtur në të gjitha trevat shqiptare, që nga Kosova e deri në Çamëri. Më pas ajo u kufizua vetëm në fshatrat e Shqipërisë së Jugut.
Më poshtë gjeni disa foto si dëshmi e përdorimit të fustanellës, dhe mund të dalloni se përdorimi i dikurshëm ishte i njëjtë si në veri ashtu edhe në jug.