Ashtu siç deklaruan edhe në mbylljen e protestës së 16 marsit, opozita e bashkuar, do të rikthehet sërish në rrugë kundër qeverisë Rama.
Edhe pse dje, kryedemokrati Lulzim Basha, nuk tregoi një datë të caktuar për protestën e rradhës, por tha që protestat do të vijojnë deri në rrëzimin e Ramës, është mësuar dita se kur opozitarët do të ‘pushtojnë’ sërish rrugët e Tiranës.
Sipas burimeve nga selia blu, protesta do të mbahet në orën 09:30 ditën e enjte.
Vendimi i opozitës për të mbajtur këtë protestë ka ardhur pas konsultimit me kryetarët e degëve dhe pas vendimit që seanca e radhës parlamentare të mbahet të enjten në orën 10:00.
Opozita ka thënë se do zhvillojë protesta sa herë që mblidhet Parlamenti të cilën e quan si parlamenti i krimit. Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër.
Ndërkohë ndërkombëtarët e kanë kritikuar opozitën në lidhje me protestat e dhunshme duke i bërë thirrje që të dialogojnë.