MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 20 mars?

20.03.2019 - 08:25

43 pes – Në fshatin Sulmo, afër Romës, lindi Publius Ovidius Naso, i njohur si Ovidi. Ai kreu punë të ndryshme, por në fund vendosi t’i përkushtohej poezisë; shumë shpejt u bë poeti më i shkëlqyer i brezit të tij; por perandori August (Oktaviani), nuk e deshi, e dëboi nga Roma në një fshat peshkatarësh, ku edhe vdqi në vitin 17.

Arsyeja e këtij mërgimi nuk dihet, por Ovidi shkruan se ndodhi për shkak të “një poeme dhe një gabimi”. Vepra më e njohur e tij, Metamorfozat pati ndikim të madh mes shkrimtarëve të mesjetës, ndërsa periudha e shekullit XII u quajt epoka Ovidiane.

Zhgënjim, nga Ovidi


(shqipërim)

Ishte e shëmtuar, s’ishte as elegante;
Shpesh e padëshiruar në lutjet e mia.
Kur e preka ndjeva mpirje, asgjë nuk ndodhi:
Trupi im shtrirë, peshë e turpshme për shtratin –
Unë doja, edhe ajo; por kënaqësia s’erdhi
Prej trupit që gëzim duhej të sillte.

1554 – Gjon Buzuku fillon të shkruajë librin “Meshari”, siç thotë vetë në pasthënie, dhe e përfundoi më 5 janar 1555. Në këtë vit duket se ka përfunduar edhe shtypja e librit.

Buzuku ishte prift katolik, famullitar i thjeshtë. Nga libri i Buzukut ka shpëtuar vetëm një kopje, edhe ajo e gjymtë.

I mungojnë faqet e para dhe për këtë arsye nuk e dimë vendin ku u shtyp libri dhe cili autoritet kishtar e dha lejen e botimit (imprimatur – “le të shtypet”) sipas rregullave të kishës katolike.

Ajo që na kumton Buzuku te pasthënia e shkurtër në fletën e fundit të librit (mrekullisht ka shpëtuar kjo fletë), është se kisha ku shërbente dhe shtypshkronja nuk kanë qenë larg dhe kështu ai vente e vinte për të ndihmuar tipografët që shtypnin librin, sepse ata kishin shumë vështirësi të radhisnin tekstin e shqip të Buzukut.

Merret vesh se tipografët kanë qenë të huaj, italianë, nuk e dinin shqipen. Janë shprehur hipoteza të ndryshme për vendin e shërbim të Buzukut.

Më e besueshmja duket ajo që e bën Gjon Buzukun famullitar të ndonjë bashkësie Shqiptarësh të shpërngulur diku në ndonjë territor të Republikës së Venedikut pas rënies së Shkodrës në duart e Osmanëve (1479).

Specialistët kanë përcaktuar se tipi i shkronjave dhe lloji i letrës janë po ata që përdoreshin në shtypshkronjat e Venedikut në mesin e shek. XVI.

“Meshari” përmban lutjet dhe pjesët nga Shkrimi i Shenjtë që thuhen gjatë meshës në kishë. Lënda e librit është kryesisht përkthim nga latinishtja a italishtja.

Libri u botua në një periudhë të ndeshjes së Reformës dhe Kundërreformës. Reforma ishte një lëvizje fetare që u zhvillua në shek.

XVI e cila shkëputi nga bindja ndaj Papës një pjesë të Europës Perëndimore dhe solli lindjen e kishës protestante dhe futjen e gjuhëve të gjalla popullore në shërbesat fetare (gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht etj.).

Me emrin kundërreformë kuptohet tërësia e masave që ndërmori vetë Kisha Katolike në shek. XVI-XVII për t’iu kundërvënë reformës protestante dhe për të ruajtur autoritetin e saj duke përmirësuar gjendjen e kishës.

Sipas studiuesit dhe gjuhëtarit të njohur, Emil Lafe, “Meshari” i Buzukut është vështruar si fryt i Kundërreformës, si një lëshim që qe e detyruar të bënte Selia e Shenjtë, duke lejuar shërbesat fetare në gjuhën e gjallë të popullit dhe rrjedhimisht përkthimin e “Mesharit”… një ndërmarrje e tillë nuk mund të bëhej pa mbështetjen edhe financiare të eprorëve të kishës dhe pa lejen e tyre për ta botuar.

Këtë mbështetje dhe leje e patën më vonë Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë, po për Buzukun nuk mund të thuhet gjë, nga shkaku i mungesës së ballinës dhe të fletëve të parathënies së librit”.

Teksti i “Mesharit” është shumë i vlefshëm nga pikëpamja e historisë së gjuhës shqipe. Ajo dëshmon se gjuha shqipe në shek. XVI ka qenë më e njësishme sesa sot, d.m.th. dallimet ndërmjet gegërishtes e toskërishtes kanë qenë shumë më të pakta.

Duke u mbështetur në elementet gjuhësore të “Mesharit” studiuesit anojnë nga teza se Gjon Buzuku do
të ketë qenë nga me origjinë nga krahina e Krajës, Ljarjes dhe Shestanit (sot në Malin e Zi). Fjalori mjaft i pasur dhe mënyra deri diku e saktë e drejtshkrimit dhe gramatikës në gjuhën e “Mesharit”, i kanë bërë studiuesit të mendojnë se tradita e shqipes së shkruar është shumë më e hershme.

Profesor Emil Lafe, redaktor i përgjithshëm i “Fjalorit enciklopedik shqiptar” (FESH, 3 Vëllime, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, 2008-2009), shkruan:

“Ka një radhë shenjash e rrethanash që të shtyjnë të supozosh se Buzuku, kur u ul në tryezën e punës më 20 mars 1554, nuk e filloi duke shpikur ai vetë alfabetin që do të përdorte e duke stërvitur dorën për të shkruar shqip, po duke vënë në zbatim ato shprehi që tashmë i kishte fituar nga mjedisi e i kishte zhvilluar vetë.

Tregues gjuhësorë dhe historiko-kulturorë flasin në të mirë të kësaj hipoteze. Kështu, E. Çabej, studiuesi më i thelluar i Buzukut, shprehet se:

“kush ka lexuar këtë tekst disa herë me radhë, besojmë se do të ketë përshtypjen që gjuha e përdorur në të nuk është një arë fare e papunuar më parë. Ai bashkohet me tezën e arbëreshit Gaetano Petrotta se në Shqipëri do të ketë pasur para sh.

XVI një traditë ortografike dhe mbase edhe një gjuhë të përbashkët, së paku në shkrimet e përdorimit praktik. Edhe duke e shikuar këtë çështje nga ana e historisë së vendit, me një vështrim të gjithanshëm të gjendjes kulturore në Shqipërinë mesjetare, shton Çabej, “teza e Petrottës do të dilte më fort e përforcuar sesa e kundërshtuar, sepse shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve përreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut.”

Ndërsa gjuhëtari Selman Riza (1909–1988) e quan të papërligjshëm, madje kombëtarisht të papranueshëm, ngulmimin e disa studiuesve për ta çuar traditën letrare të shqipes dy-tre shekuj para Buzukut, duke mos pasur mbështetje të sigurt për këtë. Sipas tij: “të gjitha rrethanat historike e kulturore flasin se para Buzukut nuk ka ekzistuar ndonjë shkrim madhor në gjuhën shqipe. Madhëria morale e Gjon Buzukut qëndron pikërisht këtu që “en së dashunit së botësë sanë”.

Gjon Buzuku u bë ideator dhe realizator i një vepre, me të cilën ai neve shqiptarëve përgjithmonë e jetës na zbardhi faqen në lëmin deri atëherë të palavruam të kulturës së fjalës së shkruame (sikundërqë afro një shekull më herët Gjergj Kastrioti ne shqiptarët na pat mbuluar me lavdi në fushën jo të panjohur të luftërave vetëmbrojtëse ngadhënjimtare)”. Selman Riza “Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”, Tiranë, 2002.

Dhe pyetja shtrohet: A a ka pasur ndonjë libër shqip para “Mesharit” të Buzukut? Profesor Lafe dyshon: “Shpresa që na u zgjua se do të shihnim së afërmi të botuar një dorëshkrim shqip të vëllimshëm të vitit 1210 (hartuar nga njëfarë Teodor Shkodrani), që e kishte gjetur në arkivat e Vatikanit gjurmuesi kosovar Musa Ahmeti, tashmë është shuar edhe te më besëplotët. Në ato dy radhë që janë bërë të njohura prej këtij dorëshkrimi, nuk ndihet asnjë amëz stërlashtësie gjuhësore.

Me sa duket Gjon Buzuku do të ruajë vendin e tij prijatar dhe autoritetin e patriarkut në shkrimin shqip dhe në letërsinë shqipe.

Prandaj 20 Marsi 1554 mbetet një Ditë e Madhe për shkrimin shqip dhe për kulturën shqiptare”. (DITA E MADHE E 20 MARSIT, Emil Lafe, 2004).

1627 – Franca dhe Spanja nënshkruajnë marrëveshjen për të luftuar protestantizmin.

1727 – Vdiq në Londër fizikani, matematikani dhe astronomi anlez Sir Isaac Newton, në moshën 84. Newton konsiderohet si një nga shkencëtarët më me ndikim i të gjitha kohërave. Libri i tij Philosophiae Naturalis Principia Mathematica (Parimet Matematike të Filozofisë Natyrore), botuar në vitin 1687, hodhi themelet e mekanikës klasike. Newton gjithashtu krahas Gottfried Leibnizit (albanolog), shpiku kalkuluset.

1760 – Zjarri në Boston shkatërron 349 ndërtesa.

1800 – Ushtria franceze mposht turqit në Helipolis, duke përparuar drejt Kajros, Egjipt.

1815 – Napoleon hyn në Paris pas ikjes nga Elba dhe rivendos perandorinë që zgjati 100 ditë.

1888 – Për herë të parë një operetë në gjuhën rome shfaqet në Moskë, Rusi.

1977 – Komunistët dhe Socialistët fitojnë zgjedhjet komunale në Francë – parizianët zgjedhin ish-kryeministrin Zhak Shirak si kryebashkiakun e parë të Parisit në një shekull.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe