Tre deputetet e rinj qe dje moren ne Komisionin Qendror te Zgjedhjeve mandatin, e qe shtojne numrin e perfaqesuesve te LSI-se ne Kuvend, pritet te bejne sot betimin.
Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Koçiraj, do te jete deputetet e rinj te LSI-se, qe pritet te jene sot në seancën plenare te Kuvendit.
Gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ miratoi dhënien e mandatit të deputetit Ralf Gjoni, i cili do të zëvendësoje mandatin e dorëhequr të Klajda Gjoshës. Krahas Gjonit, kandidati tjetër që pritet të marrë sot mandatin e deputetit është edhe Nimet Musai, i cili do të zëvendësojë Petrit Vasilin në sallën e Kuvendit.
Mandatin e dorëhequr të ish-deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Vlorës, Shezai Rrokaj, pritet ta marrë kandidatja Enada Koçiraj, e cila ditën e djeshme mori edhe dritën jeshile nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Procedura ligjore parashikon se pas miratimit të dhënies së mandatit të deputetes nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimet i përcillen për miratim Kuvendit të Shqipërisë. Kësisoj, pritet që para zhvillimit të seancës plenare që është parashikuar ditën e enjte, të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku parashikohet që të jepet drita jeshile për betimin e deputetëve të rinj në seancë plenare.
Me miratimin e 3 kandidatëve, numri i deputetëve të rinj që futen në Parlament shkon në 13. Ndërsa balancat politike tek opozita transformohen në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017. Me marrjen e mandateve të deputetit të tre kandidatëve të LSI-së, numri i deputetëve nga Lëvizja Socialiste për Integrim ia kalon atyre të PD-së. Kjo, pasi nga lista e LSI-së ka pasur më shumë kandidatë që kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit, duke e çuar numrin e tyre në 10.
Këtij numri i shtohet edhe mandati i Lefter Kokës, i cili që në fillim nuk pranoi të jepte dorëheqjen nga mandati, duke e çuar numrin total në 11. Ndërsa Partia Demokratike ka në Parlament 5 deputetë, tre që kanë pranuar të marrin mandatin dhe dy deputetët, Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi, që nuk dhanë dorëheqjen.
Por nëse deputetët e rinj do të qëndrojnë në opozitë apo në maxhorancë, kjo duhet parë gjatë ditës së sotme, pasi do të zhvillohet seanca e tretë parlamentare, ku futen deputetë të rinj. Ajo që ra në sy gjatë zhvillimit të punimeve të dy seancave të shkuara ishte flirti i deputetëve të rinj të opozitës me maxhorancën, ku bashkuan votat pro saj.