MENU
klinika

Reagimi

Lobimi në SHBA, Basha letër Prokurorisë: Propagandë politike

21.03.2019 - 10:53

Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur përmes një letre Prokurorisë së Tiranës, e cila sot e kishte ftuar atë të paraqitej, lidhur me kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA. Së bashku me ish sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani, Basha ishte ftuar nga organi i akuzës për t’u njohur me përgjigjen e letërporosisë së SHBA për cështjen në fjalë.

Në letër Basha e konsideroi kërkesën e paraqitjes në prokurori të pambështetur në ligj dhe të pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit. Kryedemokrati bën të ditur se as ai dhe asnjë drejtues tjetër i Partisë Demorkatike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, arsye për të cilën ata nuk ka nevojë të informohen dhe prokuroria nuk ka asnjë detyrim të informojë për të dhënat e verifikimeve që po bën.

Basha shpjegon se zyrtarët e PD janë paraqitur në Prokurori për të dhënë shpjegimet e tyre që ndihmojnë prokurorinë në këtë çështje. Për këtë arsye, çmohet e panevojshme paraqitja sipas njoftimit të ardhur për njohjen me aktet.

“Fakti që një ftesë e tillë vjen 6 muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike.”-thuhet në letrën e Kryetarit të PD, Lulzim Basha.