MENU
klinika

20 vite nga ndërhyrja e NATO-s

Kosova, mirënjohje të përjetshme

21.03.2019 - 14:53

Rrugë të mbushura me flamuj amerikanë, murale të tjera që falënderojnë NATO-n, si dhe dy djem të quajtur ToniBler dhe Klinton…

Kosovarët nuk njohin pengesa sa i përket mënyrave të shumëllojshme për të falenderuar fuqitë perëndimore për ndërhyrjen ushtarake të tyre 20 vite më parë, për t’i dhënë fund luftës me Serbinë.

“Nëse nuk do të ishte për Bill Clintonin, ne të gjithë do të ishim të vdekur. Ky vend nuk do të ishte i pavarur dhe unë nuk do të mund të luaja futboll me shokët e mi”, thotë 16-vjeçari Klinton Bajgora, prindërit e të cilit i kanë vendosur emrin e shqipëruar të presidentit amerikan, të cilin ata e konsiderojnë si “babai i kombit”.

Plot 20 vite më parë, NATO nisi një fushatë ajrore 78-ditore bombardimesh mbi Serbi, gjë që çoi në tërheqjen e forcave të saj nga Kosova, ku shumica shqiptare ishte përfshirë në një luftë të ashpër me regjimin e serbit Slobodan Miloseviç.

Fushata e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i dha fund një konflikti që shkaktoi mbi 13 mijë të vdekur, shumica e të cilëve shqiptarë të Kosovës, në atë që shënoi edhe kapitullin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Që prej atëherë, perëndimorët e veçanërisht amerikanët gëzojnë ende një popullaritet të palëkundur në Kosovë, një vend që shpalli Pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara.

Prishtina mban në gjirin e saj një statujë të Bill Clintonit në një bulevard të identifikuar pikërisht me emrin e tij, e për përurimin e të cilit presidenti amerikan u desh të vinte vet në vitin 2009.

“Sa herë të shikoni këtë statujë, dua të kujtoni se gjithçka dua për ju është një e ardhme e mirë, e dua të dini se do të bëj gjithçka mundem për t’iu mbështetur sa të kem jetë”, tha Clinton përpara një turme të ekzaltuar asokohe.

Familja e Klinton Bajgorës mban ende flamurin amerikan në shtëpinë e tyre në fshatin Dobratin, 30 km në veri të Prishtinës. “Nuk besoj që Kosova të ketë miq më të mirë sesa Clintonët”, tha e ëma 50-vjeçare e tij, Selvije Bajgora, për agjencinë e lajmeve AFP.

Madeleine është një tjetër emër i përhapur mes vajzave të reja në Kosovë, në një gjest mirënjohjeje ndaj ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright. Disa familje të tjera janë frymëzuar nga Britania e Madhe, një tjetër aleat kyç gjatë ndërhyrjes së Perëndimit në Kosovë.

Familja Dajaku nga fshati Rakinice i ka vënë emrin djalit të tyre ToniBler, duke iu referuar ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

“Në momentet më kritike, kur fati i familjes sime dhe i Kosovës ishte në rrezik, Tony Blair përdori të gjithë fuqinë e tij për të lejuar ndërhyrjen e NATO-s dhe për të nxitur tërheqjen e forcave serbe nga Kosova”, tha 18-vjeçari për medien franceze.

“Jam krenar që mbaj emrin e tij”, tha ToniBleri, babai i të cilit ka luftuar përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “JO vetëm unë, por të gjithë shqiptarët anembanë botës janë miq të Britanisë”, tha babai i tij.

Gjatë vizitës së tij në vitin 2010 në Kosovë, ish-kryeministri ftoi 9 të rinj të quajtur Tony, t’i bashkoheshin teksa fliste përpara turmës së njerëzve të mbledhur në Prishtinë.

“Bëra atë që mendova se ishte e drejtë. Nuk jam penduar aspak atëherë dhe as tani”, tha ai.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!