Ditën e sotme, opozita zhvilloi protestën e gjashtë pas asaj të 16-Shkurtit, e cila shënoi sot edhe me nisjen e seancës së Kuvendit.
Protesta u zhvillua jashtë godinës së Parlamentit për tre orë e 30 minuta, ndërsa më pas protestuesit u zhvendosën drejt ambienteve të Policisë së Tiranës për tu solidarizuar me protestuesit e shoqëruar nga policia.
Gjatë protestës te Parlamenti u dëgjuan thirrje kundër qeverisë. Protestuesit tentuan të çajnë tre herë kordonin e policisë dhe ia dolën në tentativën e katërt. Megjithatë policia arriti ta neutralizonte shpejt situatën.
Sipas detajeve të paraqitura, ata të cilët u konfrontuan fillimisht me Policinë kanë qenë protestuesit e Unazës së Re.
Që në nisje, ata hodhën shashka, tymuese dhe bidona uji në drejtim të policisë. U raportua për dy policë të lënduar nga shashkat.
Ndërkohë, pas 5 orësh, PD tashmë ka mbyllur protestën, në mungesë të kreut të saj, Lulzim Basha.
Protesta u mbyll me fjalën e nënkryetarit të PD-së, Edi Paloka, i cili ndau me simpatizantët dhe protestuesit, mesazhin e Bashës nga Brukseli.
“Edhe njëherë doja t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj, për sot për të arritur nesër në fitoren e sigurtë. Dua t’ju përshëndes edhe në emër të zotit Basha, i cili vazhon takimet në Bruskel që janë pjesë të fitores që na pret.”– thuhet në mesazhin e Bashës.