MENU
klinika

Syt' e tu vetëtimtarët

Poezia në një ditë

21.03.2019 - 15:44

Prej vitit 1999, 21 marsi është shpallur si Dita Botërore e Poezisë, nga UNESCO. Vendimi i marrë në kongresi i 30-të i kësaj agjencie që u mbajt në Paris, mori vendimin që ka si objektiv kryesor mbështetjen e larmisë gjuhësore përmes shprehjes poetike.

Po ashtu, një ditë ndërkombëtare për poezinë u caktua për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashtë, poemat e Homerit mësoheshin përmendsh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike, tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar kryesor dhe dallues i saj.

Kësisoj, UNESCO kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura etj.
Në të njëjtën kohë, nisma mbështet poetët e rinj, duke i promovuar ata përmes krijimit të një imazhi më shumë tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si “jo shumë në mode”.

Dita Botërore e Poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye, UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private, duke përfshirë këtu shkollat, bashkitë, muzeumet, shoqatat kulturore, shtëpitë botuese etj.

Para caktimit të 21 marsit, si Dita Botërore e Poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi përkonte me ditëlindjen e poetit epik romak, Virgjil. Në disa vende, vazhdon të ruhet ende kjo traditë e muajit tetor.

 

PORADECI

Syt’ E Tu Vetëtimtarët

Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar.
Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar…na shij qjelli zilitar…

Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht

 

Kamadeva

Mendoj e shkoj nga pak
si gjithmonë,
me shpirtin zemërak
në rrugën tonë

Atje ku ma ringjall
aq letë e qetë,
në gjirin tim një mall
të mjerën jetë

Ku silleshin të dy,
me të baritur,
me dëshirim në sy
me shpirt të ndritur

Ku regëtin dhe sot
me ato kujtime,
buçimi gjëmë-plot
i zemrës sime.

Buçimi durimtar,
që pat kaluar,
më zjen plot mall e zjarr
në kraharuar

O mall! O dashuri!
o yll! o djellë!
sesi më djeg në gji,
në zemër fellë!

Sesi më ndjell që larg,
me ndrit përfare,
me dritat varg e varg
vetëtimtare!

 

 

FAN S. NOLI

Lidhje e paçkëputur

Ti moj Engjëll, moj Shejtane,
Moj Zambak e moj shafrane,
Ti më dehe të papirë
Me tufan e me farmirë;
Moj kurbatkë katarroshe,
Moj sarhoshe kokëboshe,
Më përpjek qoshe më qoshe;
Me zinxhir po më zvarnis,
Më shastis e më bezdis,
Më kërdis, më çakërdis;
Ti ma syrgjynose gjumin,
Ti më mbylle në budrumin,
Ti më nxive në zullumin:
Bashkë s’rrojmë dot,
Ndahemi pra sot.

Nuk ujdis dot ti me mua
Si për çift, për burr’ e grua.
Unë hesht, ti po bërtet,
Unë flë, ti po gërret;
Unë ha, ti ramazan,
Unë s’pi, ti zbras kazan;
Unë rent, ti po çalon,
Unë ngel, ti fluturon;

Unë prush e ti dëborë,
Unë drras’ e ti këmborë,
Unë hi e ti vullkane,
Unë mi e ti kapllane,
Un’ i ri, ti shkon me pleqtë,
Unë plak, ti lot me djemtë;
Çporru, prapa diellit
Ku s’ryn drit’ e qiellit.
S’piqemi gëkunt,
Dasma mori funt!

Në më do, më ngushëllo,
Po s’më do, mos më mundo;
Prema kokën dhe çliromë
Dhe në varr të zi mbulomë,
Se kur ngjitem, kam një hall,
Nukë shqitem, jam tutkall.
Ndihmë, pra, për Zot,
Puthm’ e vramë sot.

Tani qan, u mallëngjeve,
More vesh që u gënjeve;
Tani zemrën ma gëzove,
Se e shoh që u pendove;
Tani dukesh si qëmoti,
Kur më kape, siç tha Zoti;
Kokën time, brigje-brigje,
Ti moj flag’ e ëmbël, digje!
Tok pra mbetemi
Sa të tretemi.

 

 

MIGJENI

Melodi e këputun

Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.
Nga vaji i heshtun
shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çasteet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.
Brrylat ndër gjujë të mpshtetun,
ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).
Hesht njeriu pran grues
që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.
Por kur vjen ndoj tjetër,
epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun.

 

 

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe