Teksa shumica e ish-deputetëve të Partisë Demokratike dogjën mandatet e tyre, Rudina Hajdari, deputete e PD-së, vendosi ta mbajë mandatin e saj.
E pranishme në seancën e sotme plenare, Hajdari ka sqaruar sot arsyen e këtij vendimi.
Në fjalën e saj, ajo ka akuzuar hapur qeverinë, që sipas saj, erdhi në pushtet nga vota e 23% e shqiptarëve dhe që sot nuk do tja dijë më as për mbështetësit e saj.
Ndërkohë që nuk ka lënë pa shigjetuar ashpër opozitën për vendimin për djegien në bllok të mandateve, sipas të cilës, synon të shpejtojë një kalim të pushtetit dhe është përshkallëzim ekstrem i sjellës politike të këtyre 28 viteve.
Fjala e saj e plotë:
“I nderuar Drejtues i Seancës,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë !
Kjo e sotmja është një krizë e paprecedentë, është një krizë që po i cënon të gjitha institucionet një nga një. Nëse është e qëllishme, apo e sjellë nga situata, këtë do ta tregojë koha në vazhdim.
Unë jam e bindur se edhe këtë herë rinia e zgjoi shpresën e popullit nga gjumi, duke vërtetuar vullnetin popullor kundër sistemit politik të instaluar prej 28 vitesh, sistem i cili nuk është shkëputur as sot e kësaj dite nga regjimi i kaluar.
Në mënyrë të heshtur protesta e studentëve rrezikoi elitën politike, ndaj të gjitha palët bënë ç’është e mundur për ta përëarë dhe për ta monopolizuar kauzën. Edhe pse u mundua ta vriste shpresën, kjo elitë doli zbuluar në qëllimin e saj.
Dalja e studentëve në sheshet e Tiranës dhe sheshet e qyteteve nga veriu në jug shkaktoi metamorfozë politike. Të rinjtë, studentët folën qartë.
Politika 28 vjeçare nuk është vetëm një model keq-qeverisjeje, por një armik i urryer i qytetarëve dhe i interesave të tyre. Ky model i vjetër politik që nuk do t’ia dijë për të ardhmen e mijërave familejeve, për arsimin dhe e edukimin e brezave, për të rinjtë, për largimin masiv të qytetarëve, për vlerat, për moralin, për paqen dhe jetën duhet të marrë fund.
Kjo politikë e mbrapshtë e ektremiteteve e ushqyer nga korrupsioni, nepotizmi, dhe padyshim nga lufta ndaj mendimit të lirë dhe të pavaruar, na ka sjellë në këtë situatë të pazakontë.
Nuk është hera e parë që kjo paqendrushmëri politike kërcënon stabilitetin e vendit. Qendrimet radikale apo dhe marrëveshjet e fshehta prapa shpinës së shqipëtarëve të njerës dhe tjetrës palë kanë bërë që për tre dekada me rradhë të mos i ndahemi thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Unë u rrita me këtë thirrje dhe të rriturit u plakën. Por nëse ne vazhdojmë kështu, nëse nuk heqim dorë nga ky model i vdekur politik i udhehequr nga padrejtësia, pandëshkueshmëria, abuzimi, dhe etja për pushtet pa principe, këtë thirrje do ta degjojmë dhe nga fëmijët tanë.
Në fillim të viteve 90, pyetja që u shtrua nga Ramiz Alia ishte: “Doni pluralizmin e mendimit apo pluralizmin partiak?” Edhe pse ne zgjodhëm pluralizmin partiak, nuk ndërtuam dot kurrë kulturën demokratike brënda grupimeve tona politike.
Dorëzimi i mandateve në bllok për të detyruar apo shpjetuar një “kalim të pushtetit” s’është gjë tjetër përveçse një përshkallëzim ekstrem i sjelljes politike të këtyre 28 viteve.
Ripërseritja e krizave të brendshme politike sidomos në prag të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, jo vetëm ngadalëson procesin e integrimit, por dhe na ekspozon në mënyrë të rrezikshme ndaj influencave të tjera.
Shqipëria në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si një faktorë destabilzues në Balkan por duhet të ndërtojë ura zhvillimi dhe bashkëpunimi me të gjithë vendet e rajonit për të garantuar ecurinë e përbashkët drejt rrugës Euro-Atlantike. Ne duhet të jemi shembull në këtë perspektivë dhe mos të lejojmë veten të behemi shembull i rrezikshëm për sytë e botës.
Shembulli i së keqes e gjithçka thashë është pjesë dhe Qeveria. Një qeveri që vazhdon të mos pranojë me arrogancë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet vendi: mosluftimi i krimit të organizuar, vrasjet në qendrat e qyteteve, abuzimi me fëmijët, papunësia e lartë, largimi në masë i qytetarëve janë bërë epidemi shkatërruese për vendin.
Një qeveri e dalë nga një fitore gjysmake, e votuar nga vetëm 23% e votuesve shqiptar ka treguar që nuk do t’ia dijë më as për mbështetësit e saj.
Keqpërdorimi i fondeve publike, keqmenaxhimi i burimeve natyrore si dhe nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor i ka shkatërruar besimin çdo kujt.
Këtë e tregon qartë dhe Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit Amerikan. Qeveria nuk mund te fshihet pas gishtit, duke përdorur BE-në si alibi për të shmangur përgjegjësitë e veta në këtë situatë.
Unë, ashtu si çdo deputet që është këtu sot, jam përgjegjëse para njerëzve që më kanë që më kanë votuar po dhe atyre që nuk më kanë votuar. Një ditë sigurisht do të gjykohem për rezultatet e mia.
ASNJË nuk mund ta gjykoj vendimin tim ashtu si vet historia. Prandaj unë do bej hapa të sigurtë drejtë parimeve të mija larg politikës së vjetër, vendime që i përkasin të ardhmes së Shqipërisë.
Në ditët dhe muajt në vijim do vi me propozime konkrete për të ndryshuar dhe për të kthyer normalitetin në vend, dhe për të bërë ç’është e mundur për të zgjidhur problemet e atyre që qëndrojnë sot jashtë Parlamentit.
Arsyeja se përse kam hyrë në politikë dhe qëndrova në Parlament është sepse dua të sjell një model të ri politik, një frymë të re parlamentare që do t’i japë fund tranzicionit.
Ju faleminderit!!”