Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, deklaroi se vonesat në rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të sjellë destabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Për të rifilluar dialogun, Serbia kërkon nga Prishtina të heqë tarifën ndaj mallrave serbe të vendosur në nëntor të vitit të kaluar si kundërpërgjigje të asaj që Prishtina e quan fushatë të Serbisë për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Çdo ditë vonesë mund të krijojë kushte në të cilat një shkendijë mund ta ndezë në flakë tërë rajonin. Vendet perëndimore duhet ta dinë këtë”, tha Vuçiç.
Ndërkohë dy presidentët Thaçi e Vuçiç, e kanë përmendur si ide ndryshimin e kufijve si pjesë e një marrëveshjeje të paqës mes dy vendeve. Vuçiç këtë e quan “përcaktim të kufirit” ndërkaq Thaçi “korrigjim të kufijve”. Mirëpo shumë analistë këtë ide e shohin si një përpjekje për shkëmbime territoriale.
“Pranimi ynë në Bashkimin Evropian varet nga dialogu me Prishtinën dhe nëse një ditë do të arrijmë një marrëveshje. Unë pres nga Gjermania, Franca apo BE-ja të bëhen më aktive në procesin negociues. Mendoj se ne do të shohim disa nga nismat e tyre në të ardhmen e afërt”, theksoi Vuçiç.