Jeta artistike e tij ka nisur shumë herët, duke u shfaqur në opinionin publik si një artist multidimensional, si themelues i degës së Komunikim Dizajn në Universitetin Europian të Tiranës.
I guximshëm në ide, me një sens të hollë humori, karikaturat e tij janë një portretizim i shoqërisë sot, që nuk mbart pak probleme. Mjeshtri Bujar Kapexhiu, veprat e të cilit kanë shoqëruar gjithnjë aktualitetin dhe kanë goditur me një zgjuarsi fenomentet e forta negative të jetës politike, sociale dhe ekonomike në vend, feston 75 vjetorin e lindjes.
Nga arti i karikaturës nuk kërkohet vetëm ndjeshmëria artistike dhe krijimtaria, por është e domosdoshme të ndjehet guximi intelektual dhe qytetar për të goditur fort anët e errta të një shoqërie në tranzicion të tejzgjatur dhe të lodhshëm.
I krijuar si një mision, arti i karikaturës vazhdon të mbetet i tillë. Në sajë të talentit dhe aftësisë për të krijuar gjetje, Kapexhiu i paraqitet publikut shqiptar jo thjesht si një kronikan por si një individ që ngre shqetësimin e vet me kurajën intelektuale, qytetare. Si një artist, pa patur frikë të thumbojë, ironizojë apo provokojë. I palodhur në punën e tij, me vepra që datojnë edhe më herët se vitet ’90, të botuara në gazetat “Drita”, “Zëri i popullit”, “Bashkimit” etj, dhe kryesisht në revistën “Hosteni”.
Në karrierën e tij të gjatë, krijimtaria nuk ndalet vetëm tek karikatura, por kontributi i këtij artisti poliedrik shpërfaqet edhe si aktor, regjisor, prezantues, analist, pedagog, skenarist etj. Megjithatë ai shpesh herë është shprehur se asnjë nga profesionet që ka kryer deri tani nuk e veçon nga të tjerët, për shkak se sipas tij ata janë zinxhir dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Kapexhiu mban titujt “Artist i merituar”, “Profesor” dhe Mjeshtër i Madh i Punës”.
Në 75 vjetorin e lindjes, ky mjeshtër i vizuales vjen me një ekspozitë të quajtur “Ndërkombëtarët” në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, që do të çelet ditën e sotme./ Gazeta Liberale