Deputeti serb i Kuvendit të Kosovës Sllobodan Petroviç është sulmuar në mes të Prishtinës. Sulmi ka ndodhur në afërsi të Kuvendit të Kosovës, në një restorant.
Këtë e ka konfirmuar vetë Petroviç gjatë një konference për mediat. Ai është kryetar i SLS-së.
Në fjalën e tij për mediat ai përmendi se përgjatë muajve të fundit ndaj tij dhe partisë që ai udhëheq është bërë një fushatë e egër.
“Jam sulmuar fizikisht afër kësaj ndërtese, pasi edhe ju e dini se muajve të fundit personalisht ditëve të fundit, ndaj meje dhe partisë që unë e udhëheq është bërë një fushatë e egër”, ka thënë Petroviç.
Ndërkohë Lista Serbe ka publikuar në Facebook, momentin e sulmit të deputetit.
Ai shtoi se personi i cili e sulmoi është Milan Kostiç, këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.
Petroviç tha se ky sulm nuk është i rastit dhe se ata nuk mund ta frikësojnë.
“Kjo nuk është e rastit, dhe ato mendime që i kam thënë edhe publikisht, mund të më sulmojnë edhe fizikisht edhe të më vrasin, por unë nuk frikësohem”, tha ai dhe tregoi se për këtë gjë ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës dhe gjithashtu ka lutur presidentin Vuçiç që të ndërpresë çfarëdo deklarate për të dhe të verifikojë faktet, pasi po flet vetëm me burimet e shërbimeve që ka.
Ndërkohë në një reagim të Listës Serbe pretendohet se është pikërisht Milan Kostiç ai që është sulmuar nga ana e Sllobodan Petroviç.
Siç thuhet ndër tjerash, Lista Serbe ka kërkuar që policia dhe prokurorët të marrin të gjitha veprimet e nevojshme që Sllobodan Petroviç dhe Boban Stankoviç të ndiqen dhe të dënohen, sepse kjo sjellje është absolutisht e papranueshme.