Deputetët e Kosovës miratuan me 74 vota pro projektrezolutën që pezullon për 30 ditë lojërat e fatit, derisa qeveria të sjellë në Kuvend projektligjin që do t’i ndalojë ato për një afat 10-vjeçar.
Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, shprehet se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ndalimin e tyre.
“Pas konsultimeve me kryetarët e grupeve parlamentare propozoj këto ndryshme: pika e parë, qeveria të nisë procudrat ligjore për pezullim të ligjit deri në ndërrimin e tij; dhe qeveria të sjell brenda 30 ditëve në Kuvend ligjin që i ndalon lojërat e fatit.
Shteti i Kosovës duhet të mbrojë qytetarët, mirëpo është për të ardhur keq, që institucionet reagojnë vetëm pas ngjarjeve tragjike. Në Kosovë ekzistojnë 1.645 aparate të licencuara të lojërave të fatit. Nuk duhet të lejojmë që kazinotë të ushqejnë krimin, e lojërat e fatit të përcaktojnë fatin e individëve dhe të familjeve tona”, deklaroi Hoti.
Mbështetjen për rezolutën e dhanë edhe deputetët e PDK-së. Shefi i grupit parlamentar të tyre, Memli Krasniqi tha më herët se kishin rënë dakord që të mbështesin thirrjen e seancës dhe tekstin e rezolutës së propozuar.
“Në emër të grupit parlamentar të PDK-së shpreh mbështetjen për këtë rezolutë, e po ashtu mbështesim mocionin që të kalohet drejtpërdrejt në votim të rezolutës pa pasur debat”, theksoi Krasniqi.
Projektrezoluta u mbështetet edhe nga Partia Socialdemokrate si dhe “Nisma” e Limajt.