Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i dërgoi një letër falenderimi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për kontributin e NATO-s në shpëtimin e mijëra jetëve dhe ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Haradinaj tha se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falenderues dhe shtoi se ndërhyrja e forcave të NATO-s 20 vite më parë ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës.
“Në njëzetvjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, sot i kam dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg. Veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës. Ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot Kosova është shtet, i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s.”, tha Haradinaj.
Kryeministri kosovar, gjatë ditës së djeshme ka bërë homazhe edhe pranë Pllakës Memoriale të ushtarëve të KFOR-it të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, si dhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën në shërbim në Kosovë.