MENU
klinika

Zgjedhjet lokale

Rama sondazhe me qytetarët për kandidatët e Bashkive

25.03.2019 - 19:56

Partia Socialiste, tre muaj para datës në fuqi të zgjedhjeve vendore, 30 qershorit, vijon seleksionimin e kandidaturave për kryetarë bashkive.

Sipas informacioneve, kryeministri Edi Rama, ka insistuar që për disa bashki të zhvillojë sondazhe në terren me qytetarët për të gjetur kandidaturën më të pranuar dhe votuar në komunitet. Për të shmangur debatet e brendshme në përzgjedhjen e kandidatëve, aty ku ka disa propozime, socialistët po zhvillojnë sondazhe në komunitet për të marrë edhe mendimin e votuesve për kandidatin më të mirë.

Kreu i Partisë Socialiste ka kërkuar që garancinë për kandidatin ta japin vetë votuesit në një testim parazgjedhor. Në këtë mënyrë, sondazhe po bëhem në të gjitha zonat, bashkinë, por dhe ish-komunat që tashmë janë pjesë e bashkisë së madhe për të gjetur kandidatin e duhur.

Sondazhe po bëhen për kandidatët e bashkisë Gjirokastër, ku në garë janë deputeti Flamur Golemi dhe Artemisa Dralo, aktualisht zv/ ministre e Jashtme, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2017 ka qenë edhe kandidate për deputete në Qarkun e Gjirokastrës. Një tjetër emër është Armand Hila, aktualisht kryetar i Këshillit në Gjirokastër.

Po ashtu, sondazhe po zhvillohen dhe në Sarandë, ku kandidatë janë Alket Qendro, Florjana Koka, Adrian Gurma, nënprefekt i Vlorës. Po ashtu dhe për kandidatin për Bashkinë e Dibrës po zhvillohen sondazhe ku përfliten disa emra. Ndërkohë, mësohet se kandidatët për Bashkinë e Durrësit, Shkodrës dhe Vlorës mbeten në gjykimin e kryesisë së PS-së, e cila po zhvillon disa konsulta me personalitetet lokale për të konfirmuar emrat më me reputacion në bashki, që do t’i garantojnë fitoren e sigurt Partisë Socialiste.

Ndërkohë, kandidatët e konfirmuar janë:

Tiranë ERION VELIAJ
Korçë SOTIRAQ FILO
Pogradec ILIR XHAKOLLI
Fier ARMANDO SUBASHI
Vlorë DRITAN LELI
Elbasan GLEDIAN LLATJA
Kukës SAFET GJICI
Berat ERVIN DEMO
Lezhë PJERIN NDREU
Prrenjas NURI BELBA
Belsh ARIF TAFANI
Kamëz RAKIP SULI
Librazhd KASTRIOT GURRA
Tepelenë TËRMET PEÇI
Tropojë REXHË BYBERI
Mirditë NDREC DEDAJ
Kavajë ARBEN RUGIA
Kuçovë SYBI SHEHU
Himarë JORGO GORO
Divjakë FREDI KOKONESHI