MENU
klinika

Në grevë shoqëritë e autobuzave

Paralizohet transporti i udhëtarëve në Gjirokastër

26.03.2019 - 13:40

Shoqëritë e transportit të udhëtarëve në Gjirokastër, kanë nisur një grevë pa afat. Kjo ka sjellë paralizimin e transportit të udhëtarëve nga Gjirokastra, drejt destinacioneve të ndryshme brenda vendit. Shkak është konkurrenca e pandershme prej së cilës ata po dëmtohen nga ana financiare.

Si pasojë e këtij fenomeni, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka pasur përplasje mes shoferëve grevistë dhe atyre që kërkonin të përfitojnë nga konkurrenca e pandershme. Sipas burimeve policore, janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, tre prej personave të përfshirë në konflikt.

Grevistët kanë kërkuar përmbushje të kërkesave të tyre pasi në të kundërt, kanë paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të protestës.

Sipas tyre, Ministria e Transporteve ka lejuar deformimin e tregut të udhëtarëve duke i’u dhënë leje firmave klienteliste fantazmë që të operojnë në linjat ndërqytetëse të Gjirokastrës.

Të gjendur në kushte të tilla, banorët e Qarkut të Gjirokastrës, gjenden pa zgjidhje për të udhëtuar në destinacione të ndryshme pasi kjo grevë do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave të shoqatave të transportit të udhëtarëve të cilët operojnë në rajonin jugor. Nga ana e saj Policia Rrugore, nuk ka ndërhyrë veçse ka vëzhguar në distancë protestën.

Ndërkohë shoferët kanë paralajmëruar grevë urie si masë ekstreme.