MENU
klinika

Himni shqiptar përtej oqeanit

Sa kushton një simbol?

26.03.2019 - 15:16

Gjatë një udhëtimi me tren në Boston, po ndërroja linjën e trenave jeshilë në stacionin “Park Street”. Tek po prisja trenin e radhës, pashë një djalë të ri zezak që po i binte saksofonit. Para kishte vendosur “arkën” e tij – një kovë të madhe plastike, ndërsa në disa mbajtëse dërrase, kishte ngjitur disa copa kartoni ku ishin stampuar flamuj të shteteve të ndryshëm.

 

Në fillim, nuk e kuptova pse kishte gjithë ata flamuj. Ai e kuptoi interesimin tim dhe më pyeti:

Nga je?

– Nga Shqipëria, – i thashë.

– Ja ku e ke flamurin shqiptar, – më tha – dhe filloi të luajë me saksofon himnin tonë.

Unë mbeta i shtangur, kur dëgjoja një zezak t’i binte himnit tonë. Si gjithmonë, himni ynë na zgjon emocione veçanërisht ne mërgimtarëve.

Himni dhe flamuri ynë kombëtar, janë dy simbolet tona më të çmuara që na mbushin me krenari dhe emocione.

Pasi mbaroi së luajturi himnin tonë, u afrova te kova dhe nga kënaqësia që ndjeva, i dhashë 5 dollarë. I kënaqur, zezaku më falënderoi. E pyeta si e quajnë dhe më tha, se e kishte emrin Venmo-Jante Samuel, ishte 25 vjeç. E kishte mësuar në “You Tube” himnin tonë dhe himnet e tjera.

 

– Sa himne di të luash në saksofon? – e pyes.

 – 170 – më tha.

Vërtet një shifër shumë e madhe! Pas meje erdhën “klientë” të tjerë dhe i riu vazhdoi t’i bierë himneve që ata kërkonin.

 

Pas pak, mbërriti treni jeshil dhe unë vazhdova rrugën ku isha nisur. Ky rasti i “biznesmenit” me himnet dhe flamujt e shumë vendeve, më futi në mendime. Njeriu po ta vrasë mendjen, gjen mënyra jetese. Dhe ai e kish gjetur “çelësin” e biznesit në mënyrën e vet.

Siç dihet, Amerika është vend emigrantësh dhe ai duke ditur dobësinë e tyre për vendet nga kanë adhur, e kishte gjetur “shkëndijën” për t’i prekur. I emociononte vërtet. Kush më shumë se himni i vendit tënd, mund të të ngjallë kaq emocione!..

 

Nga: Fuat Memelli

 

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe