Të dhënat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë tregojnë se adoleshentët shqiptarë kanë ndër normat më të ulta të përdorimit të alkoolit në Europë, në vetëm 32%.
Mesatarja europiane fiksohet në 48%. Kjo bën që Shqipëria të jetë në vend të katërt së bashku me Finlandën sa i përket normës më të ulët të përdorimit të alkoolit mes 15-16 vjeçarëve.
Islanda mban rekordin europian me vetëm 9%. Por, ana tjetër e tabelës ngre alarmin, pasi për një pjesë të mirë të vendeve më të zhvilluara europiane kjo normë ngjitet mbi 40%, e madje deri në 73% në rastin e Danimarkës.
Pra, ndërkohë që në Shqipëri vetëm 1/3 adoleshentë konsumon alkool, në Danimarkë, raporti ngjitet në ¾. Të dhënat janë alarmante edhe për Austrinë, Greqinë, Çekinë, Spanjën dhe Italinë.
Studimi është kryer në formën e një ankete dhe pyetja që i është drejtuar adoleshentëve ka qenë: “A keni pirë ndonjë pije alkoolike gjatë muajit të fundit?”.
Në analizë janë marrë 30 shtete të Europës, mes të cilave edhe Shqipëria, ndërkohë që mungojnë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.