MENU
klinika

Deklarata

Kryemadhi paralajmëron: Së shpejti zgjedhje të parakohshme

27.03.2019 - 19:05

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, para mbledhjes me ish-deputetët, tha se janë njoftuar të gjitha strukturat dhe Shqipëria shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Djegien e mandateve Kryemadhi, e cilësoi si aktin final të opozitës për të ndërgjegjësuar opinionin publik.

“Në mbledhjen e sotme do të diskutojmë dhe për anën organizative të gjithë partisë, po bëhemi gati për zgjedhje të parakohshme. Jemi të bindur dhe po njoftojmë të gjithë strukturat se Shqipëria shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të pasur një parlament legjitim.

Djegia e mandateve është interes publik, ishte akti final i opozitës për të ndërgjegjësuar opinionin publik dhe atë ndërkombëtar për kapjen e shtetit. Protesta e nesërme është një vazhdimësi e protestave të shqiptarëve”, nënvizoi Kryemadhi.

Më tej, kryetarja e LSI i konsideroi të blerë deputetët e rinj në Parlament.

“Ilegjitimiteti i Parlamentit për ne është bërë më se normale. Nëse deputetët që hyjnë në Parlament me subvension nga PS duke eliminuar subvensionet për bujqësinë, ku donacionet për fermerët shkojnë për këta deputetë.

Zoti e ruajt Edi Ramën dhe ata që bashkëpunojnë me Edi Ramën. Nëse këta deputetë kthejnë 400 mijë shqiptarë që kanë ikur dhe nëse këta deputetë që kanë hyrë kontrabandë në Parlament, do të rrisin pagat, kjo do të ishte mrekulli”, tha ajo.