Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizitoi parkun fotovoltaik në Topojë të Fierit, ku pa nga afër investimin e realizuar.
Parku është konsideruar si model i suksesshëm biznesi, pasi në të janë instaluar 5 licenca të cilat prodhojnë në tërësi 10 megavat.
“Teknologjia që është përdorur këtu është e diversifikuar, një pjesë e teknologjisë është europiane, një pjesë është kryesisht module dhe invertrat janë nga kompanitë numër një në botë”, ka thënë Sadik Llapashtica, kordinatori i projektit.
Ministrja Balluku e cilësoi parkun fotovoltaik të Topojës në Fier, si një standard dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë të interesuarit që duan të investojnë në këtë fushë.
“Parku fotovoltaik është një zhvillim energjetik shumë i rëndësishëm, dhe në një vend si Shqipëria ku ditët me diell ne i kemi bujarisht të ofruara, absolutisht është një fushë që duhet zhvilluar dhe duhet treguar gjithë serioziteti dhe vëmendja e duhur edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, u shpreh Balluku.
Për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit të ngritur nga prodhuesit fotovoltaik për vetkonsum, ministrja Balluku ka ngritur një grup të përbashkët pune me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, OSHEE dhe grupet e interesit.