MENU
klinika

Çfarë ndryshon?

Masat antiduhan/ Rregulla të rrepta, jo më paketa me…

28.03.2019 - 14:24

Një projektligj i ri i ministrisë së Shëndetësisë synon të vendosë rregulla më të rrepta për konsumin e duhanit, me fokus edhe nxitjen e uljes së konsumit.

Ndër të tjera projektligji parashikon ndalimin e prodhimit dhe tregtimit të paketave të vogla (më 10 cigare) si dhe ndalimin e përdorimit të cigares elektronike dhe duhanit me ngrohje në ambientet e mbyllura.

Referuar relacionit të projektligjit, “ndalimi i shitjes së paketave me numër të reduktuar cigaresh apo me alterim të shijeve pritet të reduktojë blerjen e këtyre produkteve nga konsumatorë që nuk e përballojnë dot çmimin e një pakete të plotë apo nga konsumatorë për të cilët shija karakteristike e duhanit është një element i pakënaqshëm i duhanpirjes dhe në mungesë të shijeve alternative do zgjidhnin të mos konsumonin produktin konvencional”.

Ndërsa ndalimi i përdorimit të cigares elektronike dhe duhanit me ngrohje në ambiente të mbyllura duke aplikuar për të, të njëjtat rregulla si për format konvencionale të duhanpirjes synon mbrojtjen nga ekspozimi i pavullnetshëm ndaj produkteve të duhanit.

Projektligji parashikon gjithashtu edhe ashpërsimin e masave ndëshkuese. Në rastet kur do të gjenden ambiente publike ku konsumohet duhan, gjoba do të përshkallëzohet duke arritur deri në 10 fish të saj në rastet e përsëritjes dhe pezullim të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës.