MENU
klinika

Reagimi

Protesta/ Spiropali: Opozita s’e ka kursyer ‘bojën e zezë’ mbi Policinë

28.03.2019 - 16:28

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, reagoi pas akteve të opozitës në protestë.

Nga foltorja e Kuvendit, Spiropali tha se opozita nuk ka kursyer për asnjë moment ‘bojën e zezë” ndaj Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se kjo e fundit ka arritur rezultate spektakolare në luftën kundër krimit duke rritur besimin tek qytetarët shqiptarë.

“Vetëm në 2 muajt e parë të 2019 kemi 60 raste të referuara për pastrim parash dhe 8.2 milionë euro të sekuestruara. Ndërsa në kohën e opozitës gjithsej u sekuestruan 1.2 milionë euro, kur 1 milionë euro forca e ligjit i ka sekuestruar në një goditje të vetme. Ndryshimi është i qartë”, tha Spiropali. 

“Në 5 vite e gjysmë opozita nuk ka lënë rast pa hedhur bojë të zezë në mënyrë sistematike dhe të llogaritur mirë për të cënuar besueshmërinë e një prej shtyllave të shtetit, që është Policia e Shtetit. Me qindra e mijëra deklarata shtypi, qindra emisione televizive, deputetë të opozitës të dirigjuar për të goditur Policinë e Shtetit, telenovela me Babale e me drogë, që janë skenare të mirëmenduar për të shkatërruar moralin e Policisë së Shtetit dhe për t’i bërë një dëm të rëndë vendit”, tha Spiropali.

Zëdhënësja e qeverisë theksoi se organet e Policisë së Shtetit kanë kontribuar në ruajtjen dhe garantimin e drejtësisë në vend. 

“Ky vend ka policë të vrarë, nuk ka gjykatës e prokurorë të vrarë. Opozita nuk e ka pasur me ministrat e Brendshëm të PS-së, por e ka pasur dhe e ka me cenimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend. Më parë punonin si ngastra të pavarura, sepse drejtoheshin nga klane të caktuara.

Në më pak se 1 vit e gjysmë janë organizuar 24 operacione të profilit të lartë me arrestimin e 280 të dyshuarve për përfshirje në grupe kriminale. 14 grupe kriminale janë goditur dhe 27 milionë euro të dyshuara me prejardhje të paligjshme u janë hequr kriminelëve”, nënvizoi Spiropali.