MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur me 29 mars?

29.03.2019 - 08:10

1430 – Perandoria Osmane nën Muratin II merr qytetin bizantin të Selanikut. Mbretërimi i sulltan Muratit shënohet si periudha e luftrave osmane kundër princërve feudalë të krishterë të Ballkanit. Në vitin 1450, sultan Murati udhëhoqi ushtrinë e tij në Shqipëri dhe rrethoi pa sukses Kalanë e Krujës në përpjekje për të mposhtur rezistencën e udhëhequr nga Skënderbeu. Në dimrin 1450-1451, Murati II u sëmurë dhe vdiq në Edirne. Ai u pasua në fron nga djali i tij, Mehmed II – njohur si Mehmet Pushtuesi (1451-1481).

1798 – Formohet Republika e Zvicrës. Në 1798, trupat franceze pushtuan plotësisht Zvicrën – Konfederata e vjetër zvicerane u shpërbë. Deputetët e kantoneve e shpallën Republikën Helvetike “një dhe të pandarë”, ndërsa forcat pushtuese themeluan një shtet të centralizuar bazuar në idetë e eksportuara të Revolucionit Francez.

1827 – Në Vjenë, 20-mijë njerëz marrin pjesë në varrimin e Ludwig von Beethovenit. Ai kishte vdekur më 26 Mars 1827, pas një pneumonie të rëndë. Beethoveni ishte mjaft popullor, por edhe modest; ai nuk dëgjonte, por bënte edhe sikur nuk shikonte, kur të tjerë përpiqeshin të përfitonin nga fama e tij; Tregojnë, se një herë Gëte dhe Beethoveni kishin dalë për një shëtitje për të biseduar të qetë. Megjithatë, çdo njeri përshëndeste dhe përulej me respekt ndërsa kalonte para tyre. Së fundi, i paduruar Gëte tha: “Sa gjë e lodhshme. Nuk mund të gjej një vend ku të mos pritem me nderime”. Dhe Beethoveni iu përgjigj: “Mos u bë nervoz. Ka shumë të ngjarë që këto ndere janë të destinuara për mua”.

1831 – Fillon kryengritja e madhe boshnjake. Shkak u bënë reformat nga Sulltani për heqjen e sistemit feudal të administrimit. Pavarësisht disa fitoreve të dukshme, kryengritësit u mundën në betejën perfundimtare pranë Sarajevës më 1832. Mosmarrëveshje të brendshme kontribuan në dështimin e rebelimit, ndërsa shumë feudalë nuk e përkrahën kryengritjen.

1852 – SHBA: Shteti Ohio shpall të paligjshme për fëmijët nën moshën 18 vjeç dhe gratë që të punojnë më shumë se 10 orë në ditë.

1864 – Britania i kthen Greqisë Ishujt e Jonit. “Shtetet e Bashkuara të Ishujve Jon”, ishin federatë prej 7 shtete-ishuj nën protektoratin e Britanisë nga viti 1815 – 1864. Ishujt e detit Jon kishin qenë më parë pjesë e Republikës së Venedikut. Pastaj u përfshinë në Republikën Franceze. Në vitin 1799, francezët u dëbuan nga një forcë e përbashkët ruso-osmane dhe më 1815 u morrën nga britanikët.

1867 – SHBA – Kongresi miraton ngritjen e Përmendores Linkoln në Washington DC. Gjithësesi, vendimi u la mënjëanë për thuajse 45 vjet. Punimet filluan vetëm më 1912 dhe monumenti për nder të presidentit të 16 amerikan Abraham Linkoln u përurua më 1914.

1879 – Opera e Çajkovskit “Yevgeni Onegin”, shfaqet për here të pare në Moskë. Yevgeni Onegin është roman në vargje shkruar nga Aleksander Pushkin (1799 – 1837). Krenar dhe tejet i ndjeshëm për nderin e tij, Pushkini kreu deri 29 duele, dhe u plagos për vdekje në Shën Petersburg, në duel më një oficer francez në oborrin carist, i cili ishte përpjekur të joshte gruan e poetit, Natalya Pushkina. Fat tragjik pati edhe Çajkovski, lindur me 1840 – vdiq nga kolera – disa thonë, vrau veten më 1893, kur krenaria e tij u fye. Pushkin e Çajkovski, i ngjajnë Yevgeni Oneginit, viktimë e krenarisë dhe egoizmit, dënuar me vetmi, artit përballë jetës, pa dallim, që solli tragjedinë e tyre.

1925 – Vdiq Bajram bej Curri, udhëheqës, politikan; luftoi për pavarësinë e Shqipërisë, dhe më pas, për përfshirjen e Kosovës në të, pasi Traktati i Londrës 1913 e la jashtë ashtu si dhe shumë vise të tjera shiptare. Curri lindi në Gjakovë 1862 (FESH). Ka burime që thonë se lindi në Krushë të Madhe, Rahovec (http://sq.wikipedia.org). Luajti rol aktiv në kryengritjen shqiptare të vitit 1912, së bashku me Hasan Prishtinën e Isa Boletinin, dhe të tjerë kundër osmanëve. Në 1915 bashkëthemeloi Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës.

Më vonë kjo organizatë vendosi marrëdhënie me Kominternin (Internacionalja Komuniste) që përkrahte idenë për vetëvendosje të kombeve – disa atdhetarë shqiptarë besonin se Rusia bolshevike ishte e prirur për përcaktim të drejtë të kufijve në Ballkan. Pas Kongresit të Lushnjës në vitin 1920, Bajram Curri emërohet ministër pa portofol në qeverinë shqiptare. Në politikë, ai e identifikoi veten me forcat e Fan Nolit kundër Ahmet Zogut. Në dhjetor 1921, u caktua Ministër i Luftës në qeverinë e Hasan Prishtinës. Brenda ditësh, megjithatë, Zogu e përmbysi qeverinë, duke e detyruar Prishtinën, Currin dhe të tjerët për të tërhiqeshin drejt veriut.

Në mars 1922, Bajram Curri dhe Hasan Prishtina fillojnë një kryengritje kundër Zogut, por pa sukses për shkak të përpjekjeve të ambasadori britanik në Shqipëri, Harry Eyres, i cili bindi një nga komandantët e kryengritësve për t’u dorëzuar. Dy vjet më vonë, ndërsa qëndronte maleve për t’iu shmangur forcave zogiste, Curri, me thirrjet për të rrëmbyer armët, shënoi fillimin e të ashtuquajturit Revolucion Demokratik – Borgjez, qershor 1924; 6 muaj më vonë, pas disfatës së revolucionit, Curri vazhdoi kundërshtimin me armë ndaj Zogut. Dhe, më 29 mars 1925 vritet, i rrethua nga trupat zogiste në një shpellë afër Dragobisë – legjenda thotë se Bajram Curri vrau veten për të mos u kapur gjallë. Vite më vonë Dragobisë iu dha emri i tij – Qyteti Bajram Curri – kryeqendra e rrethit të Tropojës.

Elegji për Bajram Currin
(nga Fan Noli)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.

1936 – Zgjedhje në diktaturë: Propaganda naziste shpall se 99% e gjermanëve kishin votuar për kandidatët nazistë.

1949 – Turqia njeh shtetin eIzraelit.

1994 – Serbët dhe kroatët nënshkruajnë një armëpushim për t’i dhënë fund luftës në Kroaci.

2004 – Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia bëhen anëtare të NATO-s.

2004 – Republika e Irlandës bëhet vendi i parë në botë që ndalon pirjen e duhanit në të gjitha vendet e punës, duke përfshirë bare dhe restorante.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe