Kryeministri grek Aleksis Tsipras, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut të martën më 2 prill.
Tsipras do të pritet në aeroportin e Shkupit, e më pas në ceremoninë e posaçme solemne me nderime të larta shtetërore. Kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras do të kenë takim bilateral dhe më pas, konferencë të përbashkët për shtyp në qeveri. Ndër të tjera, është parashikuar të mbahet edhe një seancë ndërqeveritare.
Gjithashtu është parashikuar që kryeministri grek të ketë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi. Në orët e pasdites, dy kryeministrat do të marrin pjesë në forumin e biznesit. Tsipras vjen në Shkup edhe me delegacionin e biznesit që e përbëjnë përfaqësues të mbi 70 kompanive të mëdha dhe të mesme.
Delegacioni mbështetet nga kompania greke për investime dhe tregti të jashtme “Enterprise Greece”, trupi kompetent shtetëror, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit, për tërheqjen e investimeve në Greqi dhe për promovimin e eksportit.