Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, thotë se Bashkimi Evropian duhet t’u japë qytetarëve të Kosovës të drejtën për lëvizje të lirë. Veseli ka pohuar se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kushtet, por konsideron se zgjedhjet në Parlamentin Evropian, janë pengesa për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Kryeparlamentari kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për proceset të cilat duhet të kalohen deri tek liberalizimi i vizave për zonën Schengen.
“Ne presim që Bashkimi Evropian definitivisht t’iu japë mundësinë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si gjithë qytetarëve të tjerë atë drejtë e cila iu takon. Fakti është se Kosova, tanimë për fat të mirë edhe BE-ja e pranon, se teknikisht ka përmbushur të gjitha kriteret.
“BE është duke kaluar në disa faza të cilat nuk janë normale gjatë gjithë ekzistencës të cilën e ka pasur. Si do që të jetë, ata duhet ta bëjnë këtë, është edhe në interes të tyre edhe në interesin e kredibilitetit dhe të ardhmes së BE-së për ato vlera që i promovojnë… e jemi qytetarë evropianë, ne kemi përmbushur të gjitha kriteret më shumë se çdo vend tjetër po presim që BE në momentin më të volitshëm ta marrë këtë vendim”.
Kreu i Kuvendit tha se kosovarët janë qytetarë evropianë dhe se kriteret për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimi Evropian i kanë plotësuar më shumë se të gjitha vendet e tjera. Ai është i bindur që BE-ja do të ketë vendim pro lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.