Sipas Observatorit Kombëtar grek, një tërmet me magnitudë 5.3 ballë ka tronditur sot Greqinë Qëndrore . Tërmeti kishte një thellësi prej 14 kilometrash dhe epiqendrën në Gjirin e Korinthit rreth 200 km në veriperëndim të kryeqytetit grek.
“Ishte një tërmet i fortë, që është ndjerë deri në Athinë”, raportoi Efthymios Lekas për televizionin shtetëror të Greqisë ERT. Kreu i agjencisë për planifikimin dhe mbrojtjen e tërmeteve në shtetin helen, Lekas, shtoi se gjendja aktualisht është nën kontroll dhe po monitorohet.
Greqia ndodhet në një zonë, ku vazhdimisht preket nga tërmetet, por rrallë shënohen viktima. Kujtojmë se në korrik 2017, një tërmet me magnitudë 6.7 ballë, vrau dypersona në ishullin e Kos në detin Egje, duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme ekonomike. Ndërsa në vitin 1999, një tërmet me magnitudë 5.9 ballë vrau 143 njerëz në Athinë dhe në rajonin veri-perëndimor të kryeqytetit të vendit.