MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 31 mars?

31.03.2019 - 07:58

1796 – Vihet në skenë për herë të parë drama Egmont e Johann Wolfgang von Goethes në Weimar. Gëte (1749 – 1832), shkrimtar dhe politikan gjerman; vepra e tij përfshinë poezi epike dhe lirike; stile të shumëllojshme prozë e dramë, kujtime, autobiografi, kritikë letrare dhe estetike, traktate shkencore në botanikë, anatomi, dhe katër romane, fragmente të shumta letrare në më shumë se 10.000 letra, dhe rreth 3000 vizatime.

Në dramën Egmont, Gëte trajton luftën e Kontit Egmont (1522-1568) kundër Dukës despotik të Albës. Edhe pse nën kërcënimin e arrestimit, Egmont refuzon të largohet nga vendi ose të heqë dorë ideali i lirisë.

Braktisur nga populli i tij i friksuar, konti kapet nga duka i Albës dhe dënohet me vdekje. Shfaqja mbyllet me fjalët e fundit të heroit i cili bën thirrje për liri – kështu, vdekja ofrohet si fitore ndaj shtypjes dhe njeriu jep jetën për të qenë i lirë!?. Në vitin 1809, Beethovenit, admirues i madh i Gëtes, i kërkohet të kompozojë muzikën për operën Egmont, dhe thuhet se ai pranoi me entuziazëm.

1822 – Artisti francez Eugene Delacroix zbulon pikturën mbi Masakrën e popullsisë së ishujve grekë të Kios nga ushtarët e Perandorisë Osmane pas një përpjekje për rebelim. Ferdinand Victor Eugene Delacroix, një nga piktorët më të rëndësishëm të periudhës romantike franceze, njihet për ilustrimet e veprave të Shekspirit, Valter Skotit dhe Gëtes.

1850 – Popullsia amerikane kap shifrën 23 milionë, përfshi 3,6 milionë afrikanë amerikanë skllevër.

1892 – Në Ziçisht, Korçë, lindi Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi, diplomat, historian, publicist, politikan, atdhetar. Dokumentet e shkollës tregojnë se ai ishte nxënës i shkëlqyer dhe për këtë arsye fitoi një bursë nga qeveria osmane për të studiuar në fakultetin juridik në Selanik. Pasi Shqipëria u shpall e pavarur, më 1912 deri në vitin 1914, Çekrezi punoi në Vlorë si sekretar Gjykate, pastaj si përkthyes i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit pranë qeverisë së Ismail Qemalit dhe në administratën e Princ Vidit. Kur shpërtheu lufta e Parë Botërore, Çekrezi emigroi në SHBA. Vetëm 23 vjeç, Kosta u bë redaktor i gazetës Dielli në Boston dhe kryeredaktor i saj nga 1915–1919; gjatë kësaj kohe studioi për histori, ekonomi, administratë publike, dhe gjuhë angleze në Universitetin Harvard, Boston; dha leksione për histori në Universitetin Kolumbia, Nju Jork, ku shkroi edhe monografinë Albania Past and Present, cilësuar si libri i parë mbi shqiptarët nga shqiptarët, në anglisht. Sipas Robert Elsie-t, Çekrezi u kthye për pak kohë në Shqipëri në vitin 1920 për të marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes. Në vitet 1920-1922, u caktua përfaqësues i Shqipërisë në Uashington.

Përsëri u kthye në Shqipëri, ku punoi si këshilltar në qeveri, ndërsa mori pjesë aktive dhe si organizator në kryengritjen anti-zogiste të Fierit, 1935, e cila u shtyp – dhe Kosta u dënua me vdekje në mungesë; Çekrezi ishte hedhur në Francë, “ku u mbajt për ca kohë në kampin e përqendrimit “Vernet de l’Aiege”. Këtu, u njoh me vullnetarët shqiptarë të Luftës së Spanjës, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Hulusi Spahiun, me të cilët nuk pat marrëdhënie të mira, për shkak të ideologjizmit ekstrem marksist të tyre. Këta, sipas Çekrezit, “e shkonin kohën me studime të thella të filozofisë marksiste-englesiane, për të qenë gati t’i aplikonin në sovjetizimin e Shqipërisë”. Më 27 tetor të vitit 1941, Çekrezi u nis për në Amerikë; dhe më 28 dhjetor 1941, së bashku me Tajar Zavalanin, formon në Boston organizatën Shqipëria e Lirë, dhe gazetën Liria si organ të saj. Çekrezi kishte një urrejtje të madhe ndaj Zogut dhe qëllimi i krijimit të organizatës duket se ishte për t’iu kundërvënë njohjes së mundshme të qeverisë së Zogut në mërgim, nga ana e vendeve aleate.

Kjo kuptohet edhe nga një letër e Nolit dërguar Zavalanit në Londër më 1942, ku i kërkonte të mos pengonte përpjekjet e mbretit Zogut për njohjen e një qeverie në mërgim, sepse çështja lidhej me përcaktimin e fatit të Shqipërisë së pas-luftës dhe jo me formën qeverisëse. Në gjysmën e dytë të viteve 1940, Çekrezi u përpoq për afrimin e qeverisë së Tiranës me Uashingtonin dhe me vende të tjera perëndimore, por pa sukses. Ndërsa me gazetën e tij Liria në Boston, ai u ofronte shqiptarëve të Amerikës një pamje të çelët, optimiste rreth zhvillimeve në Shqipëri në vitet e para nën komunizëm. Megjithatë, si shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë jashtë, të djathë a të majtë, dënuar me mërgim të përjetshëm, edhe Çekrezi u la në hije ose nuk u përfill nga qeveria e Shqipërisë së pas-luftës – Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi vdiq në Arlington, Virginia, pranë Washingtonit, më 10 janar 1959, në moshën 67-vjeçare. Gazeta Liria në Boston vazhdoi të botohej deri në fund të viteve 1980 – nga Dhimitër Trebicka – në të njëjtën frymë.

1917 – Shtetet e Bashkuara blejnë nga Danimarka Ishujt e Indieve Perëndimore për 25 milionë dollarë, dhe i riemërojnë Ishujt Virgin.

1918 –Hyri në fuqi ligji mbi ndryshimi orës për kursimin e energjisë në SHBA (1 orë para – 1 orë prapa çdo 6 muaj)

1930 – Krijohet Kodi i etikës për prodhimin e filmave në Hollivud, duke vendosur rregulla të rrepta për trajtimin e temave të seksit, krimit, fesë dhe dhunës në filma – Kodi nuk lejonte shprehje që fyenin fenë dhe filma që nuk ndëshkonin krimin; dhuna e ashpër, sharjet, fjalët fyese a të ndyra ndaloheshin; trupa të zhveshur a pamje marrëdhëniesh intime, përfshi puthje në buzë nuk lejoheshin (ose nëse se një film përmbante dukuri të tilla, shikuesi duhej të paralajmërohej). Ky Kod do të qëndronte në fuqi deri në vitin 1968.

1991 – Shqipëria organizon zgjedhjet e para shumë-partiake në 45 vjet. Votimet u zhvilluan në dy raunde; Partia e Punës (reformuar në Parti Socialiste, qershor 1991), fitoi 2/3 e vendeve në Kuvendin Popullor prej 250 anëtarësh. Megjithatë, zhgënjimi në zonat urbane rreth humbjes së Partisë Demokratike, forca kryesore e opozitës, shpërtheu në formë revoltash anti-komuniste në Shkodër; 4 vetë u vranë nga të shtënat, përfshi udhëheqësin e PD-së në Shkodër, Arben Broxi. Protestat u pasuan nga një grevë e përgjithshme 20 ditore, që shkaktoi rrëzimin e qeverisë vetëm pas 2 muajsh në detyrë – qeveria më jetëshkurtër në Evropën lindore – rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë ishte arritja e saj kryesore.

1991 – Republika sovjetike e Gjeorgjisë bëhet e pavarur; Traktati i Varshavës shpërbëhet.

1994 – Evolucioni i njeriut: Revista Nature njofton se antropologët kishin gjetur në Etiopi kafkën e parë të plotë të një australopitheku, një lloj homonoidi i zhdukur – Australopitheku, i ngjashëm me njeriun, mendohet të ketë jetuar 3.6 milionë vjet më parë.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe