Masakra e Tivarit është emërtimi për vrasjen masive të një numri të madh të civilëve shqiptarë të Kosovës në Tivar, të kryer nga njësitë partizane jugosllave në pranverën e vitit 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Viktimat ishin kryesisht shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin rekrutuar nga Ushtria Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, që të përdoren në luftën kundër forcave gjermane dhe forcave të tjera të boshtit, që atëherë ishin duke u tërhequr nga Ballkani. Shqiptarët marshuan nga Prizreni drejt Tivarit në tri grupe të ndryshme. Pothuajse të gjithë anëtarët e grupit tjetër të cilët nëpërmjet Shqipërisë arritën në Tivar ishin vrarë nga rojet malazeze.
Më poshtë gjeni një video, nga vendi i quajtur Monopoli i Tivarit, ku janë mbledhur dikur ish- të mobilizuarit shqiptarë, ku ka nisur edhe vrasja, e cila ka ndodhur më 1 Prill të vitit 1945.
Një ngjarje mjaft makabre, tragjike për kombin, duke menduar që nuk është folur as në Kosovë, as në Mal të Zi dhe Shqipëri lidhur me të.
Më 1 Prill të atij viti, janë vrarë rreth 1700 vetë, të cilët ishin të mobilizuar kundër vullnetit të tyre.
Vrasja ka nisur rreth orës 14:00, me një shkak shumë të rastësishëm. Ata ishin të lodhur, të uritur dhe të etur, dhe fatkeqësia më e madhe, edhe të paarmatosur.
Sipas rrëfimit të Sami Flamurit, në videon e më poshtme, armët iu ishin premtuar se do t’i merrnin në Dubrovnik, por kjo gjë mbeti veçse një gënjeshtër.
Nisur nga disa vrasje të njëpasnjëshme nxitet hakmarrja midis palëve.
Të mobilizuarit gjendeshin në Monopol për të pirë ujë, dhe si një ‘kurdisje’ e paramenduar, aty nis edhe vrasja pa ndalim dhe ekzekutimi i të gjithë ushtarëve. Grykat e mitralozeve ishin në çdo hap dhe në çdo cep.
Edhe ata të ciët tentuan të largoheshin, janë vrarë duke ikur.
Flamuri shpjegon më tej se fakte të reja po dalin, duke u referuar në shkrimet e historianit të njohur Uran Butkës, flitet për dokumentet e dorës së parë, të cilat tregojnë dorën e qeverisë të asaj kohe komuniste shqiptare.