MENU
klinika

Miratimi me 75 vota pro

Shtyhet afati i Reformës Zgjedhore, opozita e re i del kundër mazhorancës

03.04.2019 - 15:36

Ditën e sotme, si çdo të enjte të zakonshme u mblodh seanca plenare e radhës në Kuvend, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për Reformën Zgjedhore.

Kuvendi i përbërë tashmë nga deputetët e rinj të opozitës dhe mazhoranca miratoi vetëm me votat e kësaj të fundit shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Deputetët e rinj të opozitës votuan kundër shtyrjes së saj. Shtyrja e afatit të reformës u miratua me 75 vota pro.

Ndërkohë deputeti i PS Damian Gjiknuri duke folur në parlament diskutoi mbi Reformën Zgjedhore. Gjiknuri u shpreh se maxhoranca fton opozitën të bëjë propozimet e veta.

“Ne jemi duke e ftuar opozitën për të ndërmarrë bashkë Reformën Zgjedhore. Ne jemi të gatshëm që të ftojmë opozitën që të vijë në Komision, të marrë pjesë, pavarësisht se ka djegur mandatet, për të përmbushur atë që ata kanë artikuluar se e dëshirojnë. Opozita ka të drejtë të ketë një bashkë-kryetar në Komision dhe po e respektojmë njësoj si deputetët që janë në Kuvend”, tha Gjiknuri.

Lidhur me ndryshimet në kodin zgjedhor, Gjiknuri u shpreh se në këto zgjedhje nuk mund të bëhen, pasi nuk ka kohë.

Ai tha se deri më 5 maj, opozita ka të drejtë të bëjë propozimet. Gjiknuri foli edhe për teknologjinë në zgjedhje dhe për votën e emigrantëve, ndërsa u shpreh se do të bëhet punë në depolitizimin e administratës zgjedhore.

“Ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje ashtu siç do një palë, në këtë rast opozita. Nuk ka kohë për ndryshim në Kodin Zgjedhor . Por, megjithatë i kemi lënë opozitës një afat deri më datë 5 maj që të bëjë propozime. Opozita hamendëson sikur ka popullin me vete për Reformën Zgjedhore. Nëse vërtetë do ndryshime në Kod Zgjedhor, opozita të vijë në Komisionin e Reformës Zgjedhore”, nënvizoi Gjiknuri.