Pas takimit me ministrin e Brendshëm, i cili zgjati rreth 1 orë 30 minuta, prefekti i qarkut të Shkodrës, Valdrin Pjetri ka folur për mediat lokale, ku ka zbardhur edhe një pjesë nga ajo se çfarë është diskutuar.
Ai tha se bëhet fjalë për një vëmendje të shtuar nga qeveria shqiptare për qarkun e Shkodrës, sigurinë e jetës së qytetarëve si dhe nisjen e punës sa më parë për të garantuar vijimin e mbarë të sezonit turistik. Sipas prefektit, në takim veç kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut ishin edhe aktorë e faktorë përfaqësues nga Doganat dhe Tatimet.
Në fjalën e tij Pjetri tha “Takimi i sotëm u fokusua mbi axhendën dhe punën që qeveria shqiptare do të zhvillojë në qarkun e Shkodrës. Bëhet fjalë për një vëmendje të shtuar në qarkun tonë dhe detajet e tjera besoj i shpalli shumë qartë ministri në zyrën e prefektit.Ishte ministri, ishte drejtori i Policisë së Shtetit, ishte drejtori i qarkut dhe një sërë aktorësh si Dogana dhe Tatimet, që behët fjalë për një mbarëvajtje të punës sonë“.
Ai u ndal edhe tek sezoni turistik që është duke trokitur dhe tha se “zyra ka filluar të marrë masat që të ketë një sezon sa më të saktë, të mirëorganizuar në mënyrë që t’u lehtësohet jeta shkodranëve, banorëve të qarkut si dhe të ardhurve që do të jenë turistë”.
I pyetur nga mediat se nëse ka qenë pjesë e diskutimeve rasti i kërcënimeve të disa përfaqësuesve të klubit të Vllaznisë, Pjetri dha këtë përgjigje: “Nuk ka qenë pjesë e diskutimeve në mbledhjen tonë. Nuk kemi asgjë zyrtare për këtë, të paktën ne si prefekturë dhe nuk e di nëse Policia e Shtetit e ka këtë informacion ose jo”, përfundoi fjalën e tij ai.