Shqipëria mund të përballet së fundmi me krizën e refugjatëve.
Sërish dëgjohen zëra për ardhje të një numri të madh refugjatësh sirianë nga Turqia drejt Shqipërisë.
Drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër Idajet Hoxha, i pranishëm në një takim në prefekturë pohoi se fluksi i refugjatëve ka shënuar rritje përgjatë muajve të fundit. Sipas tij, vetëm në dy ditë kanë hyrë nga Kakavija 65 refugjatë të cilët janë dërguar drejt qendrës së pritjes në Tiranë.
Kryekufitari i Gjirokastrës pohoi se pritet një fluks në rritje refugjatësh drejt kufirit shqiptar.
Ai tha se sikur vetëm 10% e sasisë së raportuar nga burime të pakonfirmuara të hynte në territorin tonë, do ta fuste Shqipërinë në emergjencë kombëtare pasi ne nuk kemi kapacitetet e nevojshme pritëse për një fluks kaq të madh refugjatësh.
Mësohet se situata ka shqetësuar edhe shtetin grek pasi karvani që besohet se kap shifrën e mbi 12 mijë njerëzve e që do niset nga Turqia, do të kalojë në Greqi dhe Shqipëri.
Një pjesë e këtyre njerëzve mund të mbeten në këto vende, ndërsa të tjerë do të vijojnë udhëtimin drejt perëndimit të Evropës.