Teksa vendi duket se është zhytur në një krizë politike pas dorëzimit të mandateve nga opozita, në debatet publike dikutimet orientohen drejt skemave dhe skenareve të cilat mund të dërgojnë drejt daljes nga kjo krizë.
I ftuar në Open, gjatë një debati midis gazetarësh, analisti i njohur Mentor Nazarko, për të shpjeguar atë çfarë sipas tij, po bën sot opozita shqiptare ka ndaluar në shembullin e Maqedonisë së Veriut, duke përmendur zgjidhjet strategjike për krizat që ky shtet kaloi.
“Konstruksionet propagandistike, edhe kur vishen si normative apo edhe si metodike, edhe kur përsëriten veçanërisht mbeten të tilla.
Në këtë kuptim, do të duhet të merremi me atë çfarë po ndodh sot, ne na nxjerr ndërkombëtarisht shumë më mbrapa se secili vend në rajon, si Kosova, Maqedonia, apo edhe Serbia nëse doni.
Në këtë kuptim nuk kemi minimalisht pjekurinë e Maqedonisë, një vend i kërcënuar së jashtmi, së brendshmi, vend multietnik, etj, arrin që të zhvillojë zgjedhje normale; që të paqtohet me Bullgarinë, me Greqinë; zhvilloi një referendum shumë kompleks; të nxjerrë një urdhër arresti Prokuroria Speciale, e ngjashme me SPAK-un për paraardhësin e kryeministrit; të paqëtohet opozita me qeverinë; shefi i opozitës të shkojë në zyrën e kryeministrit; pra një situatë krejt normale.
Gjithë këto që po thuhen, dhe çfarë po bën opozita sot, është shërbim shumë i madh për Edi Ramën, sepse i krijon mundësinë atij të qeverisë, duke qenë se çdo ditë kalon është ditë qeverisje për këtë shumicë, pa një opozitë reale, duke e quajtur ndoshta legale, jopërfaqësuese, por pa një të tillë reale, sepse një opozitë e tillë bëhet atje, në Kuvend.
I lejon mundësinë Edi Ramës që të marrë në favor të tij, gjithë atë mbështetje ndërkombëtare që po vjen qoftë nga SHBA-të, qoftë edhe nga BE.”
I pyetur nëse Basha po e bën këtë gjë me dashje apo jo, nëse ka një marrëveshje me Ramën lidhur me këtë qëndrim, Nazarko përgjigjet se kjo situatë vjen si pasojë e dëshpërimit të opozitës.
“Kjo është një situatë e dëshpëruar që zakonisht i kap opozitat kur janë në fillim të mandatit të dytë, kur i humbin zgjedhjet e dyta dhe nuk arrijnë dot ta mundin palën tjetër, e për këtë arsye bëjnë lëvizje të dëshpëruara,. Edhe Rama i ka bërë këto gjëra.
Mirëpo, kjo është që ta ekstremizosh lojën politike në atë pikë sa të mos marrësh vota, as të atyre bujqve apo blektorëve që po derdhin qumështin. Ai është problemi real i Shqipërisë. Mungesa e një qeverisjeje të mirë ekonomike. Kjo opozitë nuk i përfaqëson ata bujq.”
Nga ana tjetër kujtojmë se përgjigja e opozitës lidhur me situatën është se pa votë të lirë nuk ka qeverisje.
Krahas kësaj, analisti shton se nuk ka të bëjë me votën apo qeverisjen e lirë, duke përmendur ndërhyrjen e amerikanëve, vizitën e zv./ Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë të SHBA-së, Matthew Palmer.
“Ka ardhur z. Palmer në 2017 dhe është bërë një marrëveshje me disa pika. Ato kushte janë plotësuar, për zgjedhje të lira, të pranueshme, etj. Tani çfarë kushti duhet të plotësohet përveç atyre pikave që amerikanët i kanë miratuar, e plotësuar”.